Partizani është bërë klubi i parë nga skuadrat shqiptare pjeswmarrwse nw kompeticionet europiane që i ka dhënë fund para kohe ëndrrës europiane këtë sezon. Kryeqytetasit nuk ia dolën të kalojnë pengesën estoneze të Nomme Kalju, duke u eliminuar nga Conference League pas një disfate të hidhur 0-1 në “Arenën Air Albania”, humbje që erdhi vetëm pas kohëve shtesë. Më parë Skuka kishte humbur një penallti që demoralizoi të kuqtë.
Një gol që shuajti çdo shpresë
Pasi kishin arritur të merrnin një barazim premtues 1-1 në transfertë, Partizani kishte të gjitha mundësitë për të mbyllur llogaritë në shtëpi. Megjithatë, skuadra e kuqe nuk arriti të konkretizonte dominimin e saj, duke u ndëshkuar nga një gol i Ivanov në shtesë, gol që i dha fund çdo shprese për të vazhduar më tej.
Rastet e humbura dhe penalltia fatale
Gjatë gjithë sfidës, Partizani imponoi ritmin dhe i detyroi miqtë të mbroheshin me forca të shumta, por mungoi finalizimi. Momenti më vendimtar i mbrëmjes ishte në minutën e 80-të, kur Xhuliano Skuka fitoi një penallti që mund të ndryshonte fatin e kualifikimit. Por sulmuesi kuqezi nuk ia doli të mposhtte portierin estonez, i cili priti goditjen duke zbehur besimin e vendasve.
Goditja vendimtare në shtesë
Me ndeshjen që shkoi drejt kohëve shtesë, presioni i Partizanit u shoqërua me rrezikun që një kundërsulm t’i ndëshkonte. Skuka nuk kishte më forcë në këmbë, Gudjufi e Malaj nuk bënin dot shumë e atëherë Nomme Kalju, në të vetmin rast të qartë, arriti të gjente rrugën drejt rrjetës, duke i dhënë një goditje të rëndë ëndrrave europiane të të kuqve.
Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo vazhdojnë rrugëtimin
Ndërsa Partizani i thotë lamtumirë Europës, tre përfaqësuesit e tjerë shqiptarë — Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo — do të kërkojnë të mbajnë gjallë shpresat e futbollit shqiptar në turin e dytë të Conference League.