Skënderbeu ka bërë surprizën e madhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, duke triumfuar 0-2 në transfertë ndaj Dinamos dhe duke marrë një avantazh të rëndësishëm për kualifikimin. Skuadra korçare tregoi një organizim të shkëlqyer dhe, pavarësisht vuajtjeve në pjesën e parë, arriti të shfrytëzonte momentet e saj më të mira në fraksionin e dytë për të marrë një fitore me shumë vlerë. Dy gola në 5 minuta nga Bismark e Loran, në portën e gabuar, çojnë dinamon një hap nga eliminimi.
Ndeshja nisi me një ritëm të lartë, me Dinamon që u shfaq më kërkuese dhe e etur për të marrë kontrollin e lojës. Në minutën e 5-të, Zabërgja krijoi rastin e parë të rrezikshëm, ndërsa në të 24-tën, Dejvi Bregu provoi nga distanca, por portieri Alia reagoi saktë dhe shmangu rrezikun. Pavarësisht insistimit të bluve, Skënderbeu mbeti kompakt dhe i organizuar në fazën mbrojtëse, duke mos lejuar hapësira të shumta për vendasit.
DY GOLA NË 5 MINUTA
Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Ernest Gjoka ndryshoi qasjen taktike të ekipit të tij, duke aplikuar një lojë më të guximshme në sulm. Rezultati i këtij ndryshimi erdhi shpejt: në minutën e 51-të, Bismark Mensah realizoi një gol të bukur pas një aksioni individual, duke i dhënë epërsinë Skënderbeut dhe duke i shtuar presionin Dinamos. Ky gol duket se e tronditi ekipin vendas, që u gjend sërish në vështirësi pesë minuta më vonë. Në minutën e 56-të, një harkim në zonë krijoi panik në mbrojtjen dinamovite dhe Loran, në përpjekje për të larguar topin, e devijoi në rrjetën e tij, duke dyfishuar avantazhin e korçarëve.
Lexo më tej: Vllaznia bën qendresë, Brdaric i tërbuar me Elbasanin:”Edhe dhomat i lanë pa ngrohje”
Tekniku i bardhekuqve Ernest Gjoka mundohet të qendrojë me këmbë në tokë: “Dinamo është një kundërshtar i vështirë, sidomos për mbajtjen e topit, është skuadër që i pëlqen qarkullimi, hyn mes linjash dhe e bën të vështirë. Ne si skuadër punuam që t’ia vështirësonim sa më shumë këtë situatë në metrat para portës. Ndeshja e kampionatit ishte thuajse e njëjtë, por na mungonte Bismarku, Rashicën ndoshta e vumë në një pozicion ku nuk i marrim 100%. Sot ishte ishte një situatë tjetër me Bismark dhe këto janë ndryshimet. Sigurisht edhe nga puna e skuadrës”.
Pas këtij momenti, Skënderbeu administroi lojën me qetësi, duke mos i dhënë mundësi Dinamos të reagonte. Me këtë fitore të pastër 0-2 në transfertë, ekipi korçar hedh një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales, ndërsa Dinamo do të duhet të bëjë një paraqitje të shkëlqyer në ndeshjen e kthimit më 26 shkurt në Korçë për të mbajtur gjallë shpresat e saj për kualifikim. “Nuk besoj se e kanë marrë lehtë ndeshjen sepse e kemi objektiv Kupën – tha tekniku i dinamos Ilir Daja -, pavarësisht se kemi bërë hap jo të mirë. Ka dhe ndeshje tjetër, prap do e tentojmë. Nuk mund të them që kemi hequr dorë, pavarësisht se kemi bërë hap fals dhe për meritë të Skënderbeut”.