Skandali në Turqi, 371 arbitra kanë llogari në kompani bastesh: kampionatet në rrezik

Futbolli në Turqi është tronditur nga një tërmet gjyqësor që mund të ketë pasoja shkatërruese. Federata Turke e Futbollit ka hapur një hetim ndaj më shumë se 150 arbitreve, të dyshuar se kanë vënë baste mbi ndeshje të kampionateve të ndryshme kombëtare. Nga 571 gjyqtarë aktivë, plot 371 rezulton të kenë hapur llogari në platforma bastesh dhe 152 prej tyre kanë vendosur realisht baste — mes tyre edhe 7 arbitra dhe 15 asistentë të nivelit të lartë.

Sipas asaj që del nga komunikata zyrtare e Federatës, një arbitër i vetëm do të ketë vënë baste mbi më shumë se 18.000 ndeshje, ndërsa dhjetë të tjerë kanë kaluar shifrën 10.000 dhe 42 mbi një mijë. Emrat ende nuk janë bërë publikë, por tensioni në vend është shumë i lartë.

Presidenti i Federatës, Haciosmanoglu, ka premtuar veprim të menjëhershëm: “Nga sot, komisioni ynë disiplinor do të nisë procedurat e nevojshme dhe do të zbatojë sanksionet më të përshtatshme. E dimë që futbolli turk ka nevojë për ndryshim. Detyra jonë është ta pastrojmë nga e gjithë ndotja e tij dhe t’i kthejmë vendin që meriton.”

371 arbitra me llogari në kompani bastesh: kampionatet në rrezik
Një skandal që rrezikon të ndalojë kampionatet profesionale, nga Superliga deri në Kategorinë e Tretë, me mundësi pezullimesh të përkohshme të garave.

Në ditët në vijim priten vendimet e para disiplinore, dhe nuk përjashtohet pezullimi i përkohshëm i kampionateve, nga Süper Lig deri në Kategorinë e Tretë. Ndërkohë, në rrjetet sociale po përhapet me shpejtësi hashtag-u #TemizFutbol (“Futboll i Pastër”), që është kthyer në simbol të kërkesës për transparencë.

Ndërkohë, rikthehen në kujtesë fjalët e teknikut José Mourinho, i cili, kur ishte në pankinën e Fenerbahçe në Turqi, kishte denoncuar një sistem të kalbur: “Një nga problemet e Fenerbahçes është përballja me forcën e sistemit. Është diçka më e fuqishme se cilësia, diçka me të vërtetë e fuqishme.” Sot ato fjalë tingëllojnë si një profeci.

Reagimi i klubeve: “Të bëhen publikë emrat e arbitrave”
Klubet kryesore në Turqi kanë reaguar menjëherë duke kërkuar që “Federata të bëjë publikë në mënyrë transparente emrat e arbitrave që kanë llogari bastesh dhe i përdorin ato aktivisht, ndeshjet mbi të cilat kanë vënë baste dhe llojet e basteve të vendosura.” Kjo është deklarata zyrtare e Besiktas, që është gati të ndjekë rrugë ligjore.

Fenerbahçe ka bërë të ditur se “duhet të bëhet e njohur në mënyrë transparente se kush janë arbitrat që janë zbuluar se kanë vënë baste, në cilat gara kanë gjykuar dhe cilat fusha janë prekur nga këto aktivitete. Për të rivendosur besueshmërinë e futbollit turk, është thelbësore që këto informacione të ndahen pa fshehje apo hezitim. Përndryshe, do të jetë e pamundur të rindërtohet besimi i publikut në futboll.”

Edhe Galatasaray ka publikuar një deklaratë shumë të ashpër duke theksuar se “fakti që arbitrat, të ngarkuar për të garantuar drejtësinë në fushë, kanë llogari bastesh dhe që disa prej tyre vendosin baste në mënyrë aktive, përbën një goditje të rëndë jo vetëm për etikën sportive, por edhe për vlerat themelore të futbollit turk.”

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top