Sot në orën 09:00 do të mbahet Konferenca e Kryetarëve për të vendosur lidhur me kërkesën e grupit të Partisë Demokratike për mocion me debat lidhur me ish-kreun e SHISH, Vlora Hysenin.
Në kërkesën e depozituar në Kuvend, PD kërkon që të shqyrtohen përgjegjësitë institucionale për emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
Në dokument përmenden informacionet e bëra publike lidhur me pretendimin se, gjatë kohës që ushtronte detyrën, Hyseni ka ndihmuar përmes furnizimit me të dhëna dhe informacione të klasifikuara shtetasin Ergys Agasi, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për disa vepra penale.
PD kërkon që Kuvendi të shqyrtojë procedurat dhe kriteret e ndjekura për përzgjedhjen dhe emërimin e Hysenit, përgjegjësitë e institucioneve të përfshira në këtë proces, si dhe mekanizmat e kontrollit, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies gjatë ushtrimit të detyrës.
Një tjetër pikë e kërkesës lidhet me verifikimet për të përcaktuar nëse dhe në çfarë mase është komprometuar informacion i klasifikuar, si dhe me masat e marra për garantimin e sigurisë së informacionit dhe mbrojtjen e personelit të SHISH.