Një çarje është konstatuar në lotin e dytë të rrugës Qafë Plloçë–Qukës, në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve.
Sipas informacioneve, traseja e rrugës ka pësuar dëmtime si në pjesën qendrore, ashtu edhe në anësore, çka ka bërë të nevojshme kufizimin e lëvizjes në këtë segment. Për arsye sigurie, qarkullimi i automjeteve vijon vetëm në një korsi, ndërsa pjesa tjetër e rrugës mbetet e bllokuar.
Burime nga terreni bëjnë me dije se firma kontraktore po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën, ndërkohë që Autoriteti Rrugor Shqiptar është njoftuar dhe pritet të ndërhyjë për vlerësimin dhe riparimin e dëmtimit.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë segment rrugor.