Qeveria synon të bëjë të detyrueshëm sigurimin e të gjitha banesave në vend për t’i mbrojtur nga tërmetet. Pra, nëse nuk paguan sigurimin e banesës nga tërmeti nuk do të marrësh dot shërbime publike nga platforma e-Albania, as shërbimet kadastrale, ndërsa bizneset nuk do të marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Kështu është parashikuar në nenin 33 të pr/ligjin për “Sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” i cili është hedhur tashmë për konsultim publik.
Primi i sigurimit duhet të paguhet me detyrim nga çdo individ person fizik ose juridik, vendas apo të huaj, pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave.
Të gjitha banesat dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme e kanë detyrimin për të siguruar. Përjashtohen nga kjo taksë ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër – kallami ose të ngjashme dhe ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.
Sigurimi do të mbulojë vetëm dëmtimet në banesë duke përjashtuar dëmin tjetër pasuror (mobilet, pajisjet e brendshme, etj) dëmet në njerëz, përfshirë vdekjen, kompensim të dëmeve morale; shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e mbeturinave apo dhe humbjet financiare nga ndërprerja e biznesit dhe fitimi i munguar.
Sigurimi që paguhet nga poseduesit e banesave do të rinovohet çdo 1 vit dhe periudha e vlefshmërisë së policës së sigurimit është një vit. Ndërsa dëmshpërblimi paguhet brenda nëntë muajve.
Skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet do të menaxhohet nga Fondi Kombëtar për Tërmetet, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në pronësi të shtetit dhe përgjegjës është Ministri i Financave.