Të dielën që shkoi, Donald Trump u shfaq në një restorant McDonald’s, në zonën e Filadelfias për t’u shërbyer patate të skuqura kalimtarëve të uritur. Ose, më saktë, për të bërë fotografi në rolin e një punëtori me pagë minimale. Ish-presidenti nuk ndërroi me të vërtetë zanat. Raportohet se restoranti ishte i mbyllur në ato orare dhe se klientët që kaluan me makinë para vitrinës së tij përgjatë 30 minutave që ai qëndroi aty ishin të gjithë të përzgjedhur paraprakisht.
Kushdo që i përzgjodhi klientët duket se mori përgëzimin e Trumpit pas ngjarjes, sepse ai u duk i lumtur nga klientea e Feasterville. “Përshëndetje, si jeni?” i tha Trump me humor, teksa i jep një qese ushqimi, një gruaje bionde në makinë. “Çfarë gruaje e bukur. Shiko këtë fëmijë të bukur – është si një person perfekt.”
Për çfarë shërbente kjo mis en scene e vogël? Dihet, Trump bën gjëra ose vetëm për interesin e tij personal ose vetëm nga inati. Në këtë rast, ai po tallej me Kamala Harris, e cila ka folur për punën e saj në McDonald’s kur ishte studente në vitet 1980. Zv presidentja e SHBA e ka përdorur këtë histori për të theksuar se, ndryshe nga Trump, ajo vjen nga klasa e mesme dhe nuk është rritur me një lugë argjendi. Trump është çuditërisht i fiksuar me historinë e punës së Harris në McDonald’s dhe insiston, pa asnjë provë, se ajo po gënjen. Ai zgjodhi ditëlindjen e 60-të të Harris për shfaqjen e tij në fast food, në një përpjekje të dukshme për t’i treguar asaj se ai di ta kryesojë çdo sfidë.
Nuk është ndonjë sekret që Trump nuk ka shumë qejf të paguajë nga xhepi i tij. Qindra punëtorë dhe kontraktorë e kanë akuzuar ish-presidentin se nuk ka paguar faturat për të cilat është angazhuar. Prandaj është e mundur që, përpos të qenit një tallje ndaj Harris, Trumpi e organizoi aktrimin në rrolin e shitësit në McDonald’s pasi donte një drekë falas. Ai padyshim e pëlqen ushqimin e shpejtë. Gjatë kohës që ishte në Shtëpinë e Bardhë, ai shkaktoi shumë zhurmë kur mirëpriti në Shtëpinë e Bardhë ekipin e futbollit të universitetit Clemson, fitues i kampionatit, duke shtruar një banket Big Mac-ësh të vendosura në tabaka argjendi.