Aktori i njohur Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Ai u nda nga jeta në spital, pas një sëmundjeje të gjatë. Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nisi studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, të cilat i përfundoi në 1967. Pas diplomimit, ai punoi për një kohë të gjatë si pedagog në ILA, ndërkohë që angazhimi i tij në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ishte i herëpashershëm. Në vitin 1978 u emërua zyrtarisht aktor në këtë teatër, ku vazhdoi karrierën artistike për rreth 12 vjet, deri në mesin e viteve ’90.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Gjatë karrierës së tij teatrale, Makashi interpretoi role të njohura që lanë gjurmë në skenën shqiptare, si Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës”, Telhai në “Besa” dhe Filipoviç në “Inspektori”, ky i fundit duke shënuar edhe rolin e tij të fundit në teatër.
Në kinematografi, ai debutoi që në vitin 1967 me një rol episodik si marinar në filmin “Dueli i heshtur”, dhe më pas u shfaq në një sërë filmash të njohur, përfshirë “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegja” (1972), “Rrugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992). Karriera e Fitim Makashit shënoi një periudhë të rëndësishme të skenës dhe kinemasë shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike.