Në GJKKO u zhvillua sot seanca e parë e procesit ndaj Ilir Metës.
Seanca u shty dhe u vendos që ajo e radhës të mbahet më 11 maj, në orën 12:00.
Avokatja e Fatime Kryemadhit kërkoi ndërprerjen e seancës, duke argumentuar se nuk kishte në prokurë tagrat e nevojshme për të kërkuar gjykim të shkurtuar.
Ndërkohë, Monika Kryemadhi deklaroi se në shqyrtimin paraprak është vendosur që t’i vihet në dispozicion aktekspertimi i telefonit të saj, si edhe të gjitha përgjimet telefonike.
Prokurori u shpreh se këto materiale janë gati, por nuk mund t’i dorëzohen avokatit për shkak se përmbajnë të dhëna personale.
Ai sqaroi se e pandehura mund të paraqitet në çdo moment për t’i marrë vetë.
Ish-presidenti Meta mbahet në burg që prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontrata lobuese të LSI-së në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie.
E pandehur në këtë proces është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi. I pranishëm në sallë ishte edhe Ilir Meta, ndërsa seanca u transmetua live nga ambientet e Gjykatës së Posaçme.