Shtyhet nesër në 12.30 vendimi i Apelit GJKKO për Erion Veliajn, kryetarin e bashkisë së Tiranës që akuzohet për korrupsion dhe fshehje të pasurisë. Gjykatësi Engert Pëllumbi do të vendosë nëse Veliaj do të vuajë në qeli masën e sigurisë “arrest me burg” apo me një masë tjetër më të lehtë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua në datën 10 Shkurt, pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK për vepra penale të korrupsionit, i kryer nëntë herë në bashkëpunim.
Gjykata e Posaçme vendosi masën e “arrestit shtëpiak” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe masën e “detyrimit të paraqitjes” për pesë biznesmenë, mes të cilëve Shkëlqim Fusha i kompanisë “Fusha”, Gentian Sula i kompanisë Agi Kons dhe Fatmir Bektashi i kompanisë “Kontakt”.
Për të njëjtën çështje po kryhen hetime ndaj deputetes socialiste, Klotilda Bushka, njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve, të cilën e akuzon për kryerjen e veprimeve aktive “që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në rastin e dosjes së Veliajt.
Veliaj është ndër zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste në pushtet që arrestohet me urdhër të SPAK për vepra penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.
ai akuzohet se së bashku me Xoxën kanë krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm të ngjashëm me atë të dosjes 5D, me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rridhnin nga Bashkia e Tiranës, një skemë kjo e vërtetuar sipas SPAK në nëntë raste.
Veliaj firmoste sipas SPAK shpërndarjen e fondeve publike ose lejeve të ndërtimit tek një grup subjektesh tregtare, të lidhura ngushtë me të, të cilët i kalonin më pas këto fonde tek një rrjet kompanish dhe organizatash jo-fitimprurëse të cilat kontrolloheshin nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe njerëz të afërt të saj.
“Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit dhe rrethi i saj familjar…,” pretendon SPAK.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se rrethi familjar i Veliajt ka përfituar përmes kësaj skeme një vilë në Qerret si dhe të ardhura me vlerë 110 milionë lekë, origjina e të cilave është synuar që të tjetësohet përmes futjes së tyre në sistemin bankar.
SPAK thotë gjithashtu se një pjesë e parave ka shkuar për blerje online në rroba dhe bizhuteri nga Xoxa, që për një periudhë 4-vjeçare kapin vlerën e 86.7 milionë lekëve.
Veliaj dhe Xoxa akuzohen gjithashtu për veprat penale të pastrimit të parave dhe deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.
Sa i përket pesë biznesmenëve, SPAK i akuzon ata për veprën penale të korrupsionit aktiv.
Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive të llogarive bankare të Ajola Xoxës dhe shoqërive të lidhura me të në vlerën e 869 mijë eurove si dhe parave të tjera të sekuestruara në cilësinë e provës materiale gjatë kontrollit të zyrave të Xoxës në dhjetor.