Shqiptarët renditen të dytët pas ukrainasve në personat që u është refuzuar hyrja në Bashkimin Europian në vitin 2023. Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë Evropiane të Statistikave, EUROSTAT, 13845 shqiptarë nuk u lejuan gjatë vitit të shkuar të hynin në vendet evropiane, ndërsa lista kryesohet nga ukrainasit me 18325 persona.
Më pas në listën e shtetasve që u është refuzuar hyrja në Bashkimin Evropian renditen moldavët me 9795 persona, rusët me 8255 persona dhe turqit me 7365 persona.
Sipas EUROSTAT, në total 118935 shtetasve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian iu refuzua hyrja në një nga kufijtë e jashtëm evropianë në vitin 2023 me një rënie prej 16.5% krahasuar me vitin 2022.
Qytetarët e Shqipërisë renditen të parët me 4780 persona në listën e 20 vendeve kryesore të shtetësisë për sa i përket refuzimit të kalimit në vendet evropiane përmes kufijve ajrorë gjatë vitit 2023 pasuar nga shetasit e Kolumbisë me 3 315 persona dhe Gjeorgjisë me 2925 persona.
Ndërsa nga kufijtë tokësore 7860 shqiptarëve u është refuzuar hyrja ndërkohë që në krye të lisëts janë ukrainasit me 16940 persona.
Shumicës së shtetasve shqiptarë u është refuzua hyrja në kufijtë tokësorë grekë dhe italianë por edhe kroatë. Gjatë vitit 2023 Greqia u ka refuzuar hyrjen e 4025 shqiptarëve pasuar nga Italia e cila u ka refuzuar hyrjen 3380 shqiptarëve dhe Kroacia 1765 shqiptarëve.
Agjencia Evropiane e Statistikave sjell edhe të dhëna lidhur me shtetasit që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Bashkimin Europian ku shqiptarët janë të shumtë në numër në disa vende evropiane.
Sipas të dhënave të EUROSTAT, 33245 shtetas nga Shqipëria janë identifkuar me qëndrim të paligjshëm në 2023 në vendet evropiane nga 38300 që ishin identifikuar në vitin 2022.
Shtetasit shqiptarë udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian prej Dhjetorit të vitit 2010 por në rastet e zbulimit “si të paligjshëm” nga autoritetet e një vendi të Bashkimit Evropian ata kanë shkelur afatin e qëndrimit tremujor në vendet e zonës “Shengen”, apo kanë kryer veprime jashtë programit të vizës për qëllime turistike.
Sipas raporteve për migrimin në vendet e Bashkimit Evropian, aktivitetet e personave nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë, të cilat përbëjnë shqetësim janë të lidhura kryesisht me punësimin, zënia e një pune apo vetëpunësimi, në një kohë kur kushtet e vizitave afatshkurtra nuk e lejojnë një gjë të tillë./VOA