Shqipëria, sonte për të ndalur serinë e 4 humbjeve: Maran gati për testin ndaj Luksemburgut

Pas debutimit në pankinën e Shqipërisë, Rolando Maran përgatitet për provën e dytë në krye të Kombëtares. Kuqezinjtë do të zbresin sonte në mbrëmje në orën 20.00 në fushën e Air Albania për t’u përballur me Luksemburgun në një ndeshje miqësore që, ndonëse nuk ka peshë në klasifikim, mbart rëndësi të veçantë për momentin që po kalon ekipi.

Shqipëria vjen në këtë sfidë pas një serie prej katër humbjesh radhazi dhe përballja me Luksemburgun shihet si një mundësi për të rikthyer besimin, por edhe për t’i dhënë trajnerit italian përgjigjet që kërkon para nisjes së angazhimeve zyrtare në Nations League.

Maran vazhdon punën mbi identitetin e skuadrës

Stafi teknik ka mbyllur përgatitjet me seancën zyrtare të zhvilluar në stadiumin ku do të luhet ndeshja. Puna është fokusuar te aspekti fizik, organizimi taktik dhe mekanizmat që Maran kërkon të shohë të funksionojnë në fushë. Italiani vazhdon të shfrytëzojë çdo minutë në dispozicion për të transmetuar filozofinë e tij të lojës, duke qenë se koha e punës me grupin ka qenë e kufizuar që nga marrja e detyrës.

Uzuni rikthehet me grupin, Mehmeti mungesa e vetme

Lajmi pozitiv për stafin teknik vjen nga gjendja e Myrto Uzunit. Sulmuesi, i cili një ditë më parë ishte stërvitur veçmas nga grupi, është rikuperuar dhe është bashkuar normalisht me pjesën tjetër të skuadrës.

Në krahun tjetër, Anis Mehmeti nuk do të jetë në dispozicion për sfidën ndaj Luksemburgut. Mesfushori ofensiv po kalon një gjendje gripale dhe stafi mjekësor ka vendosur të mos rrezikojë aktivizimin e tij. Përveç kësaj mungese, pjesa tjetër e grupit është në gjendje të mirë fizike dhe trajneri ka në dispozicion pothuajse të gjithë organikën për të bërë zgjedhjet e tij.

Precedentët favorizon Shqipërinë

Historiku i përballjeve mes dy skuadrave flet në favor të kuqezinjve. Në shtatë ndeshjet e zhvilluara deri më tani, Shqipëria ka regjistruar katër fitore, një barazim dhe dy humbje ndaj Luksemburgut. Përballja e parë mes ekipeve daton në vitin 2002 dhe u mbyll pa gola, ndërsa sukseset më bindëse erdhën gjatë eliminatoreve të Euro 2008, kur Shqipëria fitoi 2-0 në transfertë dhe 3-0 në shtëpi. Megjithatë, diferencat në futbollin europian janë ngushtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe Luksemburgu nuk konsiderohet më një kundërshtar i lehtë, çka e bën këtë test edhe më të vlefshëm për kuqezinjtë.

Më shumë se një miqësore

Përtej rezultatit, ndeshja e sotme përfaqëson një etapë të rëndësishme në ndërtimin e Shqipërisë së Rolando Maran. Trajneri italian kërkon të krijojë identitet, të provojë alternativa dhe të kuptojë se cilët lojtarë mund të kenë rol kyç në muajt e ardhshëm. Prandaj, sfida ndaj Luksemburgut nuk shihet thjesht si një miqësore vere. Ajo është një mundësi për të parë hapat e parë të projektit të ri kuqezi dhe për të matur progresin e skuadrës përpara provave që do të vijnë në Nations League.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top