Shqipëria fiton me shumë vështirësi 1-0 miqësoren me Gjibraltarin, që ishte parapërgatitja e kualifikueses së 9 shtatorit kundër Letonisë. Vendosi një penallti e shndërruar në gol nga Jasir Asani në mesin e pjesës së dytë, duke shpëtuar kështu një performancë zhgënjyese nga skuadra e teknikut Sylvinho. Kuqezinjtë zhgënjyen të gjithë, duke lënë pak gjëra për të vlerësuar, kundër skuadrës së 199 në renditjen e FIFA-s.
Sylvinho i dha debutimin Maldini Kacurrit, 19 vjecarit të moshave të Arsenal, që formoi qendrën e mbrojtjes me Kumbullën. Pak shqetësime për prapavijën kuqezi, të kompletuar nga Hysaj e Aliji, që ndoshta ishte më aktivi në repart. Nga minuta e parë për Pajazitin, por “Demollari i ri” nuk bëri asgjë për të merituar epitetin që i është vënë. Medon Berisha, që kishte marrë vendin e Ramdanit, bëri veten të ndihet vetëm në traversën e goditur edhe falë devijimit, por sidoqoftë ishte lojtari më i rreizkshëm i Kombëtares. Nedim Bajrami nga ana tjetër tregoi se minutat që i mungojnë e kanë kushtëzuar ndjeshëm në performancë, pavarësisht dëshirës së tij.
Lexo më tej: Prapaskenat e ikjes së Bajramit, e dredhat e brazlianit Sylvinho: “Nuk ndihem fajtor”
Sulmi ishte kaotik, pa ide e pa forcë. Broja ishte një vërtitje e kotë në fushë, me asnjë driblim të kryer e pa asnjë inkursion të ndërmarrë. Asani bëri të njëjtën gjë, mungoi krejtësisht dialogu me qendërsulmuesin, duke e lënë rrjedhimisht Dakun një numër në fushë.
Gjërat nuk u përmirësuan as me ndryshimet e bëra nga Sylvinho me rifillimin e lojës. Debutoi Shpendi me fanellën e kombëtares, hyri Balliu, Çokaj, Hoxha e Simoni, por loja ishte njësoj e mefshtë dhe po të mos ishte ajo prekje me dorë në lëvizjen brenda zonës të Shpendit ndeshja nuk do të ishte zhbllokuar. Nga pika e bardhë shënoi Asani, që të paktën nuk dështoi në tentativën e vetme drejt portës në 90 minuta. 1-0 por një zhgënjim total për një skuadër pa ide e pa ritëm, që pas 5 ditësh duhet të transformohet krejtësisht nëse dëshiron të mundë Letoninë në Tiranë.