Nga skenat që e refuzuan për deklaratat “Unë e dua Hitlerin” dhe “Unë jam një Nazi”, Kanye West, reperi kontrovers amerikan vjen me një koncert të paralajmëruar në Tiranë, një aktivitet që e kthen kryeqytetin vendin e preferuar për dhjetëra mijëra fansa të këngëtarit të njohur si Ye, një personazh i mbështjellë me kontrast të fortë si një ikonë globale e muzikës, por që tërheq pas vetes polemika aq të ashpra, sa shumë vende refuzojnë ta pranojnë.
Koncerti është planifikuar për 11 korrik në Tiranë, në një strukturë të përkohshme që pritet të arrijë deri në rreth 60 mijë spektatorë. Ndërsa Ye shihet me sy të keq në perëndim për qasjen e tij antisemite, autoritetet shqiptare kanë vendosur t’i shfrytëzojnë polemikat për hir të strategjisë së marketingut të turizmit. Kryeministri Edi Rama shpërndau lajmin i pari në rrjetet sociale, ministria e Kulturës ka deklaruar se “është detyrimi ynë të mirëpresim dhe lehtësojmë zhvillimin e eventeve të tilla që sjellin përfitime për turizmin dhe ekonominë”.
Por në Perëndim, Ye po përballet me një realitet krejt tjetër. Përfshirja e tij në festivalin “Wireless” në Londër u kundërshtua menjëherë. Një zëdhënës i kryebashkiakut të Londrës u distancua me fjalët: “Komentet dhe veprimet e tij janë ofenduese dhe të gabuara dhe nuk përfaqësojnë vlerat e Londrës.”
Reagimet shkuan edhe më tej. Një përfaqësues i komunitetit hebre në Londër e cilësoi pjesëmarrjen e tij:
“thellësisht të papërgjegjshme”, duke shtuar se “West ka përdorur vazhdimisht platformën e tij për të përhapur antisemitizëm dhe mesazhe pro-naziste.”
Këto janë akuza të mbështetura në deklarata konkrete të vetë artistit. Në një seri postimesh në rrjetet sociale, Ye ka shkruar:
- “Nuk do të kërkoj falje për komentet e mia për çifutët. Unë mund të them çfarë (the f*ck) më pëlqen. Kush më kërkon mua të falur për llogaritë e bllokuara në rrjetet sociale”
- “Unë as nuk e di çfarë do të thotë “antisemit”, është thjesht diçka që çifutët e kanë shpikur për të mbrojtur budallallëqet e tyre”
- “Çifutët nuk më udhëheqin më mua”
- “Çifutët i urrejnë të bardhët dhe i përdorin zezakët”
- “Të gjithë të bardhët janë racistë”
- “Sa më pëlqen kur çifutët vijnë dhe më thonë që nuk punojnë dot më me mua, sa më pëlqen”
- “Elon më vodhi zvastigën tek ceremonia e inagurumit.”
Reperi ka një histori të gjatë sjelljesh antisemite, duke përfshirë publikimin e një kënge të quajtur “Heil Hitler”, vetëidentifikimin si nazist, lidhjet me komentatorin e supremacisë së bardhë Nick Fuentes (përfshirë edhe një darkë në vitin 2022 me Donald Trump), si dhe deklarata të shumta raciste kundër hebrenjve dhe shitjen e bluzave me simbolin e svastikës.

Në janar, West publikoi një faqe të plotë në gazetën Wall Street Journal ku kërkonte falje për veprimet e tij. Reperi 48-vjeçar ia atribuoi sjelljen e tij çrregullimit bipolar të tipit 1. Kjo u përsërit edhe në vitin 2023.
Polemikat u thelluan më tej kur u raportua se Ye kishte shitur bluza me simbole naziste në faqen e tij në internet, duke e çuar figurën e tij përtej kufijve të provokimit artistik.
Pasojat ishin të menjëhershme. Platforma Shopify ndërpreu bashkëpunimin me markën e tij Yeezy, duke deklaruar: “Ky tregtar nuk respektoi rregullat e platformës dhe ne e hoqëm atë”. Edhe agjenti i tij i talenteve u distancua publikisht: “Nuk e përfaqësoj më YE… për shkak të deklaratave të tij të dëmshme dhe të urrejtjes”.
Megjithatë, përtej këtij realiteti, Ye mbetet një nga artistët më me ndikim të epokës moderne. Ai është fitues i shumë çmimeve Grammy dhe një figurë që ka transformuar muzikën hip-hop dhe industrinë e modës. Vetë ai e përkufizon me ironi figurën e tij publike, ndërsa në një moment reflektimi ka pranuar: “Kam pasur ca probleme… bipolaritet… kjo më ka bërë që t’i çoj ca gjëra në ekstrem”.
Ky rrëfim gjithsesi nuk e ka ndryshuar Kanye West. Ai ka mbetur një artist provokues, që kërkon rehabilitim përmes projekteve të reja, madje duke premtuar albume të rinj, por që vazhdon të përsërisë deklarata që e përjashtojnë nga skenat më të mëdha perëndimore.
Në këtë situatë, fakti që Shqipëria e mirëprit Kanye West tregon se në garën për të tërhequr sa më shumë turistë, nuk po llogaritet më asgjë. Këngëtari është refuzuar nga shumë vende të botës, por sërisht ai konsiderohet si një rast i mirë për të tërhequr të rinj nga e gjithë bota në një vend si Shqipëria, që i kërkon turistët edhe duke pranuar të mbyllë një sy për devijime si Kanye West.