Shqipëria feston sot 112–vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur nga Perandoria Osmane dhe nga pretendimet territoriale të fqinjëve në atë kohë.
Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Europës.
28 Nëntori për shqiptarët
Data 28 nëntor për shqiptarët sjell në kujtesë disa nga ngjarjet më shënjuese për historinë dhe ndërgjegjen kombëtare. Më 28 nëntor 1443, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj. Kjo datë hapi një faqe të re në historinë e qëndresës shekullore antiosmane. Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit më 3 nëntor, Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve.
“Skënderbeu valëviti në Krujë me 28 nëntor 1443, për herë të parë në histori, flamurin kuq e zi dhe në kulmin e entuziazmit popullor të të pranishmëve tha : “lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një çlirimtar tjetër, se Arbërisë nuk i mungojnë burrat. Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj. Armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat”, ka rrëfyer bashkëkohësi Marin Barleti në dorëshkrimet e tij.
469 vjet më vonë, më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar.
Më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt ka lindur Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj. Jashari mori pjesë në Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ku kërkesë kryesore e shqiptarëve ishte “Kosova Republikë”. Në vitin 1990, Adem Jashari organizoi grupet e para të armatosura në Kosovë.
Më 2 mars 1998, forca të shumta serbe të shoqëruara me tanke, autoblinda dhe artileri rrethuan shtëpinë e familjes Jashari. Në shtëpi ndodheshin 22 pjesëtarët e familjes, të cilët luftuan me forcat serbe për tri ditë e netë. Nga kjo familje mbetën të vrarë 21 vetë nga mosha 9 deri në 74 -vjeç. Adem Jashari, ishte mes këtyre të vrarëve. Ai u kthye në simbol frymëzimi dhe rezistence për shqiptarët.
Më 28 nëntor të vitit 1997 Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli për herë të parë haptazi apo publikisht. Ngjarja që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe. Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së. Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj.
Deklarata që Rexhep Selimi lexoi atë kohë:
Vëllezër dhe motra, nëna dhe baballarë, të afërm të vëllait tonë Halit Gecaj!
Në emër të Ushtrisë për çlirimin e Kosovës u shprehim ngushëllime të sinqerta dhe ju njoftojmë se e ndajmë dhembjen me ju. Populli shqiptar në trojet e veta, këtu në Kosovën e robëruar, nëpër vite e dekada ka provuar mbi supet e veta shtypjen dhe dhunën më çnjerëzore nga pushtuesit serbë.
Na u vranë, na u burgosën e na u masakruan bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë të pambrojtur.
Një nga këto veprime të dhunës së territorit serb është edhe vrasja e mësuesit tonë të nderuar Halit Gecaj nga Llausha, si dhe vrasja barbare e Ismet Gjocajt nga Deçani. Vrasje, dhunë, diskriminime e terror shtriu mbi këtë popull pushtuesi serb. Ai vrau fëmijë, të rinj, mësues nëpër shkolla, bujq nëpër ara. Vrau ç’nuk vrau.
Po një ditë nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve dhe aspiratave të popullit tonë për bashkimin tonë kombëtar. Në radhët e kësaj ushtrie radhiten bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, ata që jetën ia kushtuan lirisë.
UÇK-ja ka katër vite që u vu në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës. Ka ndërmarrë disa aksione çlirimtare kundër pushtuesve nëpër pikat më të ndjeshme të tij si dhe kundër bashkëpunëtorëve të tij shqipfolëse, kolaboracionistëve. Grushti i drejtësisë, grushti i forcës, grushti i popullit do të bjerë mbi ta. Mbi cilindo që merr guximin të shkelë idealet e shenja të popullit tonë.
Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim, deri në bashkimin tonë kombëtar. Një nga përpjekjet tona kundër armikut ishte edhe beteja e para do ditshme në fshatrat e Drenicës. Aty armiku pati dëme të mëdha materiale dhe në njerëz, prandaj u detyrua të tërhiqej kokulur. Në pamundësi t’ju vihet përballë forcave tona, vrau njerëz të pafajshëm, shtiu mbi shtëpi e shkolla.
Vëllezër, në skenën tonë politike kanë dalë mjaft parti politike e shoqata të cilat flasin gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të popullit. Disa prej tyre mundohen ta degradojnë luftën tonë të shenjtë me qëndrimin e tyre pacifistë. Atyre u themi mjaft! Mjaft se një ditë do t’ju mallkojë historia!
Gjaku i të rënëve le të na bëhet urë që do të na bashkojë të gjithëve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të na bashkojë të gjithëve në luftën për çlirimin e Kosovës se vetëm kështu trojet tona do ta shohin dritën e lirisë.
Lavdi të rënëve për liri!