SHPOPULLIMI I TROPOJËS NIS NGA MUNGESA E INSTITUCIONEVE Nga Flamur Buçpapaj

Tropoja është një nga trevat më të rëndësishme të Shqipërisë, jo vetëm për historinë, kontributin e saj në mbrojtjen e kufijve të shtetit dhe vlerat e saj kombëtare, por edhe për potencialin e jashtëzakonshëm ekonomik, turistik dhe natyror. Valbona, Alpet Shqiptare, pasuritë pyjore, blegtoria, bujqësia dhe pozita strategjike pranë Kosovës e bëjnë këtë trevë një pasuri kombëtare. Megjithatë, paradoksalisht, prej shumë vitesh Tropoja po përjeton një boshatisje të vazhdueshme institucionale. Pothuajse të gjitha shërbimet kryesore janë përqendruar në Kukës. Banorët e Tropojës nuk kanë një spital rajonal me të gjitha specialitetet, nuk kanë gjykatë, nuk kanë një zyrë funksionale të regjistrimit të pasurive, ndërsa shumë drejtori dhe agjenci shtetërore varen administrativisht nga Kukësi. Për një dokument pronësie, një proces gjyqësor, një shërbim administrativ apo një ekspertizë, qytetarët detyrohen të udhëtojnë dhjetëra kilometra, duke humbur kohë, para dhe energji. Kjo është një padrejtësi institucionale që nuk mund të justifikohet më. Është e papranueshme që edhe pas më shumë se tre dekadash demokraci, Tropoja të mos ketë institucionet që i takojnë. Madje, edhe në kohën e Mbretit Zog, Tropoja nuk ka qenë në një varësi të tillë administrative nga Kukësi.
Kostoja që paguajnë qytetarët është shumë e madhe. Çdo udhëtim drejt Kukësit do të thotë shpenzime për transport, humbje të ditës së punës, shpenzime për ushqim dhe, në shumë raste, edhe akomodim. Për pensionistët, familjet në nevojë dhe fermerët, kjo është një barrë e rëndë ekonomike. Shumë procedura nuk kryhen brenda ditës dhe qytetarët detyrohen të kthehen disa herë për të njëjtën çështje. Në vend që administrata t’i shërbejë qytetarit, qytetari detyrohet t’i shërbejë administratës. Kjo mënyrë funksionimi pengon zhvillimin e krahinës dhe krijon ndjenjën se Tropoja është lënë në harresë.
Familja ime është një shembull konkret i kësaj gjendjeje. Prej gjashtë vitesh përballemi me procedura të pafundme për regjistrimin e një toke të trashëguar nga babai ynë. Megjithëse disponojmë dokumentacionin përkatës, përfshirë AMTP-në dhe dokumente të tjera ligjore, kërkesat ndryshojnë vazhdimisht dhe procedurat zvarriten pa një zgjidhje përfundimtare. Kjo nuk është vetëm një padrejtësi ndaj familjes sime. Janë qindra familje tropojane që përballen me të njëjtat pengesa. Kur prona nuk regjistrohet, ajo nuk mund të përdoret si garanci për kredi, nuk mund të shitet lirshëm, nuk mund të zhvillohet me investime dhe mbetet e bllokuar ekonomikisht. Kjo pengon zhvillimin e biznesit, frenon investimet dhe ul vlerën ekonomike të pasurive të qytetarëve.
Pasojat ekonomike janë të dukshme. Investitorët shmangin zonat ku procedurat janë të ngadalta dhe burokratike. Bizneset hasin pengesa administrative. Të rinjtë nuk gjejnë mundësi punësimi dhe largohen. Edhe zhvillimi i turizmit në Valbonë dhe në gjithë Tropojën vuan nga mungesa e institucioneve efikase që mbështesin investimet, planifikimin urban dhe administrimin e territorit. Një trevë me potencial të jashtëzakonshëm nuk mund të zhvillohet vetëm me bukuritë natyrore; ajo ka nevojë për shtet funksional.
Pasojat sociale janë edhe më të rënda. Mungesa e institucioneve krijon ndjenjën e braktisjes nga shteti. Qytetarët humbasin besimin te administrata publike. Familjet ndihen të diskriminuara krahasuar me qytetarët e qarqeve të tjera. Shumë të rinj zgjedhin të largohen drejt Tiranës ose jashtë vendit, ndërsa një pjesë e mirë e banorëve i drejtohen Gjakovës për shumë shërbime të përditshme, për shkak të afërsisë gjeografike dhe funksionimit më praktik të tyre. Kjo është bërë një realitet që nuk mund të mohohet. Kur qytetarët e një treve detyrohen t’i marrin shërbimet bazë jashtë qarkut të tyre, do të thotë se shteti nuk po kryen detyrën e tij.
Shpopullimi nuk ndodh vetëm për arsye ekonomike. Ai ndodh edhe kur mungon shteti. Kur mungojnë gjykata, spitali, hipoteka, institucionet pyjore dhe administrata vendore funksionale, qytetari humbet sigurinë se shteti është pranë tij. Kjo sjell varfëri, ulje të investimeve, mbyllje të bizneseve, braktisje të fshatrave, plakje të popullsisë dhe rënie të zhvillimit ekonomik. Një zonë kufitare si Tropoja nuk duhet të dobësohet institucionalisht, sepse kjo është edhe çështje e sigurisë kombëtare. Zonat kufitare duhet të kenë institucione të forta, administratë funksionale dhe shërbime publike cilësore për të mbajtur popullsinë në vend dhe për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton barazinë e qytetarëve përpara ligjit dhe të drejtën për të marrë shërbime publike pa diskriminim. Kodi i Procedurave Administrative kërkon që administrata të jetë efikase, e paanshme dhe në shërbim të qytetarit. Ligji për vetëqeverisjen vendore parashikon ofrimin e shërbimeve sa më pranë qytetarëve dhe parimet e decentralizimit kërkojnë që zonat kufitare të mos privohen nga institucionet bazë. Prandaj kjo situatë nuk është vetëm problem organizimi administrativ, por edhe problem i respektimit të parimeve kushtetuese dhe të zhvillimit të barabartë të territorit.
Qeveria e re duhet të ndërhyjë urgjentisht për të korrigjuar këtë gabim të madh institucional. Tropojës duhet t’i rikthehen shërbimet e regjistrimit të pasurive, strukturat gjyqësore, një spital rajonal me të gjitha specialitetet, drejtoritë që sot varen padrejtësisht nga Kukësi, strukturat pyjore dhe institucionet e administrimit të territorit. Po aq i rëndësishëm është monitorimi i territorit, veçanërisht në Valbonë, për të luftuar ndërtimet pa leje dhe për të mbrojtur pasuritë natyrore, por kontrolli nuk mund të zëvendësojë mungesën e institucioneve. Qytetarët kanë nevojë për shtet funksional çdo ditë dhe jo vetëm për kontrolle sporadike.
Tropoja nuk kërkon privilegje. Ajo kërkon atë që i takon me ligj dhe me Kushtetutë. Kërkon që qytetarët e saj të mos trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Kërkon që një nënë të mos udhëtojë me orë të tëra për një shërbim shëndetësor, që një fermer të mos humbasë vite për regjistrimin e pronës së trashëguar dhe që një biznes të mos heqë dorë nga investimi për shkak të burokracisë. Është koha që shteti shqiptar t’i kthejë Tropojës institucionet që i janë hequr ndër vite. Kjo nuk është vetëm një çështje administrative, por një detyrim kushtetues, ekonomik, shoqëror dhe kombëtar ndaj një treve që i ka dhënë shumë Shqipërisë dhe që meriton të trajtohet me dinjitet dhe barazi.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top