Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu sqaroi arsyet se përse kryeministri Albin Kurti nuk është i pranishëm në takimin e sotëm, të organizuar nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Kryeziu shkroi në Facebook se ftesa e Ramës u bë një javë më parë, por Kurti kishte konfirmuar disa muaj më parë pjesëmarrjen në një konferencë tjetër në Greqi.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, shkruan ai.
Kryeziu siguron se Kurti do të jetë pjesë e Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, më 16 tetor të këtij viti.