Detaje të reja janë zbuluar nga shpërthimi me lëndë plasëse në dritaren e një servisi motorësh në lagjen “Bashkimi”, Vlorë. Raportohet se nga kamerat e sigurisë është filmuar një person i cili i afrohet biznesit, ndërsa po punohet për identifikimin e tij.
Ndërkohë pronari i servisit të motorëve ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri.
“Kam 30 vite që u shërbej banorëve të Vlorës, që nga biçikletave deri te motorët dhe nuk kam pas asnjë konflikt. Nuk e di pse ma kane bërë këtë dëm”, ka thënë ai.
Policia ka sekuestruar kamerat e biznesit, ndërsa janë shoqëruar në polici 5 persona. Nga shpërthimi i ndodhur pak para mesnate së djeshme ka pasur vetëm dëme materiale.