Janë shënuar dy viktima dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një shpërthim dhe zjarr në një azil pleqsh në Pensilvani. Ekipet e emergjencës u thirrën në Shtëpinë e të moshuarve Silver Lake në Bristol rreth orës 14:00, pasi morën njoftime për erë gazi. Kur mbërritën ekipet, ndërtesa shpërtheu duke shkaktuar një zjarr të madh.
Sipas BBC, pesë persona rezultojnë ende të zhdukur, por zyrtarët thanë se nuk ishin të sigurt nëse këta persona ishin në ndërtesë. Ekipet e ndihmës së shpejtë nxorën banorët nga dritaret, shkallët dhe ashensorët dhe i transportuan në vende të sigurta, u tha gazetarëve shefi i zjarrfikësve Kevin Dippolito. “Pati një oficer policie që fjalë për fjalë i hodhi dy persona mbi supe dhe vrapoi” me ta drejt stafit mjekësor, tha ai.
Disa njerëz mbetën të bllokuar në bodrumin e ndërtesës së shembur, por u shpëtuan. “Jemi ende në gjendje shpëtimi. Nuk kemi kaluar në një gjendje rimëkëmbjeje”, tha ai. Ekipet e emergjencës po punojnë ende për të shpëtuar njerëzit që mund të kenë mbetur të bllokuar në ndërtesë, tha shefi i zjarrfikësve.
Imazhet dhe videot e postuara në platformat sociale nga mediat lokale tregojnë një ndërtesë pjesërisht të shembur me flakë masive që dalin prej saj. Shapiro vlerësoi mbështetjen nga autoritetet në të gjithë rajonin, të cilat nxituan të ofronin ndihmë, dhe tha se banorët që jetonin pranë azilit të pleqve ishin të jashtëzakonshëm. “Kishim banorë që dilnin nga shtëpitë e tyre duke na ofruar ndihmë. Kjo është mënyra e Pensilvanisë, fqinjët ndihmojnë fqinjët në një moment nevoje.”, tha ai.