Një valë e re dhune ka përfshirë Meksikën pasi baroni më i kërkuar i drogës në vend, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, u vra gjatë një operacioni sigurie për arrestimin e tij.
“El Mencho”, 59 vjeç, ishte udhëheqësi i kartelit të frikshëm Jalisco New Generation Cartel (CJNG). Ai vdiq pasi u plagos rëndë në përleshjet mes mbështetësve të tij dhe ushtrisë të dielën në qytetin Tapalpa, në shtetin perëndimor të Jalisco.
Sipas ministrisë meksikane të mbrojtjes, katër anëtarë të kartelit u vranë gjatë operacionit dhe tre ushtarakë mbetën të plagosur.
Pas vdekjes së bosit të drogës, dhuna u përhap ndërsa anëtarë të CJNG bllokuan rrugët me automjete të djegura. Persona të armatosur u raportuan në rrugët e Jaliscos dhe zona të tjera.
Rreth 250 postblloqe rrugore u ngritën në mbarë vendin gjatë trazirave, 65 prej tyre vetëm në Jalisco, sipas raportimeve të CBS News. Në përditësimin e fundit, Kabineti i Sigurisë Meksikane bëri të ditur se katër postblloqe mbeteshin ende aktive në Jalisco.
Autoritetet njoftuan se 25 persona janë arrestuar, 11 për pjesëmarrje të dyshuar në akte të dhunshme dhe 14 për plaçkitje dhe grabitje. Rreth 20 degë bankash u sulmuan dhe disa dyqane u përfshinë nga flakët.