Shorti për “Final 4” të hënën: favoret, datat, skema e gjithçka duhet të dini si shpallet ekipi kampion në Superiore

Renditja u përcaktua, tani për Egnatian, Partizanin, Vllazninë e Skënderbeun mbetet vetëm të njohin shortin për të kuptuar si do të procedojë rrugëtimi i tyre ambicjoz drejt titullit kampion. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me dije se shorti për “Final 4” do të hidhet të hënën më datë 13 maj, në orën 12:00, në stadiumin “Air Albania”, në sallën e konferencave për shtyp.

Të gjitha ndeshjet e “Final Four” do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, në periudhën 17-26 maj. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më datë 17 maj, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër në po të njëjtën orë më 19 maj.

Finalja për vendin e tretë/katërt është programuar të luhet më 24 maj, ora 19:00, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion më 26 maj, ora 19:00.

SI FUNKSIONON “FINAL 4”
Ekipet pjesëmarrëse

4 vendet e para të “Abissnet Superiore” në përfundim të kampionatit të rregullt.

Shorti

Ekipet ndahen në dy vazo. Egnatia e Partizani në vazon 1 (vendi i parë dhe i dytë), Vllaznia e Skënderbeu në vazon 2 (vendi i tretë dhe i katërt). Përmes shortit të lirë do të përcaktohen edhe çiftet gjysmëfinaliste.

Gjysmëfinalet

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, ose më saktë Egnatia e Partizani.

Finalet

Ekipet e kualifikuara nga gjysmëfinalet luajnë për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse për vendin e tretë dhe të katërt.

ÇFARË PËRFITOJNË KLUBET SPORTIVISHT
Vendi i parë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League

Vendi i dytë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i tretë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i katërt në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në katërshe. Duke qenë se Skënderbeu është i dënuar nga UEFA, në këtë rast kualifikohet Tirana (vendi i 5).

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top