Sot, më 12 shkurt 2026, në orën 18:00 në Bruksel, do të hidhet shorti i fazës së grupeve të Nations League 2026/27. Pavarësisht se vëmendja e Kombëtares së Shqipërisë është e përqendruar mbi të gjitha te playoff-et vendimtare të Botërorit në mars kundër Polonisë, goglat belge do të përcaktojnë rrugëtimin e kuqezinjve të drejtuar nga Sylvinho për sezonin e ardhshëm ndërkombëtar. Vëmendja do të zhvendoset kështu edhe te Nations League, një kompeticion ku kuqezinjtë kërkojnë rikthimin pas zhgënjimit të edicionit të fundit.
Situata e Shqipërisë
Kombëtarja do të mësojë sot kundërshtarët në Ligën C. Kuqezinjtë janë pozicionuar në vazon e parë për shortin e fazës së grupeve, që hidhet sot në Bruksel. Ky pozicionim e rendit Shqipërinë mes përfaqësueseve me koeficientin më të lartë të kësaj lige, së bashku me Islandën, Malin e Zi dhe Kazakistanin. Të gjithë kundërshtarë që Sylvinho do ti evitojë në shortin që do të hidhet në Bruksel.
Kundërshtaret e mundshme
Në vazot e tjera përfshihen përfaqësuese si Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia, Bjellorusia, Qipro, Ishujt Faroe, Moldavia, Estonia dhe San Marino, si edhe skuadra që do të dalin nga ndeshjet “play-off” mes Ligës C dhe D. Sistemi i garës parashikon përballje vajtje-ardhje brenda grupit.
Vazot e shortit
Si funksionon shorti?
Liga C është e strukturuar në katër grupe me nga katër skuadra secili, ku çdo kombëtare do të zhvillojë gjashtë ndeshje gjithsej, mes përballjeve në shtëpi dhe jashtë. Ajo që është në lojë është e lartë, pasi rregullorja e re parashikon që vendet e para sigurojnë ngjitjen në Ligën B, ndërsa vendet e dyta mund të përfshihen në fazën “play-off”, në varësi të formulës përfundimtare. Vendi i tretë do të duhet të zhvillojë një play-off mbijetese kundër njërës prej të dytave të Ligës D për të ruajtur kategorinë, ndërsa vendi i katërt i çdo grupi do të bjerë drejtpërdrejt pa mundësi apelimi. Në këtë kontekst, objektivi i Shqipërisë është i qartë: fitimi i grupit dhe rikthimi në Ligën B, si dhe ruajtja e një rruge alternative drejt kualifikimit në EURO 2028.
Kalendari dhe datat e fazës finale
Rrugëtimi i Nations League 2026/27 do të zhvillohet tërësisht në gjysmën e dytë të vitit kalendarik. Dy javët e para do të luhen mes 24 dhe 29 shtatorit 2026, të ndjekura nga blloku i dytë i ndeshjeve mes 30 shtatorit dhe 6 tetorit. Faza e grupeve do të përfundojë përfundimisht në muajin nëntor, me dy javët e fundit të programuara mes 12 dhe 17 nëntorit 2026. Për kombëtaret që do të arrijnë të kalojnë më tej, çerekfinalet do të luhen mes 25 dhe 30 marsit 2027, për të kulmuar më pas me Final Four që do të ndajë trofeun në periudhën mes 9 dhe 13 qershorit 2027.