SHKRIMTARI MË I MIRË SHQIPTAR NUK SHPALLET NGA GAZETAT — POR NGA KOHA, LEXUESI DHE PROVAT… APO JEMI NË KOMUNIZËM?
Shkruar nga Flamur Buçpapaj
Po lexoja në internet kur përsëri pashë një gazetë të madhe të tranzicionit shqiptar, një gazetë që dikur dogji Shqipërinë me propagandë, urrejtje dhe ndarje veri-jug, që shpallte edhe një herë “shkrimtarin më të shitur dhe më të lexuar shqiptar”. Natyrisht jo Kadarenë, jo një autor të provuar nga koha dhe kritika botërore, por një vetëshpallur bestseller, një lloj Don Kishoti modern që sot thotë “kam shitur 100 mijë kopje”, nesër “kemi shkruar 100 libra si fis”, dhe pasnesër shpallet nga miqtë e vet si “gjeniu i kombit”.
Por meqë përmendim libra dhe rekorde, atëherë po kujtoj edhe një shkrimtar tjetër shqiptar, mikun tonë Amadeo Baci, që sipas legjendave shqiptare ka shkruar 600 romane ose 60 romane në vit. Ai të paktën nuk ulëret përditë në televizione, nuk mburret me propagandë dhe nuk shpallet me detyrim si fenomen kombëtar. Në Shqipëri shpesh ndodh paradoksi: ai që bën më shumë zhurmë shpallet “më i madhi”, ndërsa ai që punon hesht në hije, nuk përmendet.
Por për t’ia kujtuar këtij panco-s së gazetës së djegur dikur, duhet thënë një e vërtetë e thjeshtë: shkrimtari më i mirë ose më i shitur nuk caktohet nga gazetat, nga studiot televizive dhe as nga darkat politike.
Një shkrimtar i madh provohet me fakte.
Provohet me fatura të deklaruara tatimore. Me bilance financiare të shtëpive botuese. Me libra që shiten realisht në Shqipëri dhe jashtë saj. Me ribotime të vazhdueshme. Me librari të mbushura. Me lexues që presin në radhë për një libër. Me përkthime serioze në gjuhë të huaja. Me kritikë amerikane dhe evropiane që shkruan për veprën e tij. Me universitete që e studiojnë. Me kohën që nuk e harron…
Bestseller-i nuk është fjalë televizive. Bestseller-i është provë.
Por çfarë ndodhi në Shqipëri?
Në vitin 1990 unë isha student në Shkodër dhe sapo e kisha kuptuar mirë se çfarë ishte socializmi shqiptar. Kujtoj që ishte një sistem ku jo vetëm pushteti mbahej nga një grup pleqsh komunistë, por edhe ku caktohej edhe shkrimtari më i mirë, aktori më i mirë, piktori më i mirë dhe këngëtari që pëlqente Enver Hoxha. Populli vetëm duhej të thoshte “amin”.
Dhe ne e bënim amin, sepse kishim dalë nga një sistem otoman dhe diktatorial, të varfër dhe pa kulturë demokratike. Frika ishte kthyer në mënyrë jetese.
Në atë kohë unë rrezikoja jetën duke dalë në krye të demonstratave dhe grevave të urisë në Universitetin e Shkodrës. Ndërsa disa të tjerë që as nuk na flisnin në rrugë vazhdonin orgjitë komuniste, merrnin nota dhjeta dhe mbanin kokën ulur për të ruajtur privilegjet. Më vonë u bënë deputetë të PD-së, ministra etj.
Unë u burgosa. Dhe po të vazhdonte komunizmi, sot ndoshta do isha përfunduar në Spaç.
Kur erdhi demokracia u gëzuam vërtet. Unë dhe shokët e mi besuam se Shqipëria do ndryshonte. Kontribuuam me shpirt. Besonim tek liria, tek meritokracia, tek shteti demokratik dhe tek fjala e lirë.
Por tranzicioni shqiptar degjeneroi shumë shpejt.
PD u kthye mbrapsht sepse ndoshta ashtu ishte projektuar. Shumë nga ish-spiunët, ish-sekretarët dhe njerëzit e vjetër të sistemit u rikthyen me kostume të reja demokratike. Elitat e vjetra nuk u zhdukën — ato thjesht ndryshuan flamur.
Mbaj mend Aleancën Demokratike. U paraqit si forcë moderne dhe intelektuale, por shumë shpejt mori pushtetin politik, mediatik dhe ekonomik. U bënë ministra, presidentë, pronarë mediash, pallatesh, rrugësh dhe televizionesh. Një grup sigurimsash që dinte mirë si funksiononte pushteti i propagandës. Kapën çdo gjë.
Këta bënin demonstrata kundër RTSH kur ishte im vëlla drejtor. Shkruanin sikur aty po bëhej krim kundër njerëzimit. Por sapo morën pushtetin, e vodhën RTSH, e copëtuan dhe krijuan mediat e tyre kombëtare.
Pastaj filloi loja e re: kush kontrollon median cakton edhe “elitën”.
Kështu u ngritën Top Channel, Klan dhe një rrjet i tërë mediash që nisën të shpallnin vazhdimisht “më të mirin”, “më të madhin”, “më të lexuarin”. Natyrisht gjithmonë brenda të njëjtit rreth interesash, të njëjtës platformë dhe të njëjtit mentalitet sigurimsash.
Edhe sot, pas 35 vitesh, vazhdojnë njësoj: ndajnë tendera, emërojnë njerëz, kontrollojnë media dhe ruajnë pushtetin kulturor e politik. Shqipëri e vogël, e varfër dhe qesharake, e shpopulluar nga korrupsioni dhe tranzicioni i pafund.
Por ironia më e madhe është kjo: shumica e atyre që dikur bërtisnin kundër “malokëve”, sot servilosen para pushtetit më keq se komunistët e dikurshëm.
Mbaj mend në vitin 2000 kur u thirrën pronarët e radiove shqiptare. Sapo isha kthyer nga shkolla në SHBA dhe besoja se gjërat kishin ndryshuar. Aty takova pronarin e Radio Koha, që atëherë konsiderohej si “mbreti” i radios shqiptare.
Ai më pa me habi dhe më tha: “Po ti Flamur, çfarë do këtu?”
I dukej e pabesueshme që unë, një njeri jashtë rrethit të tyre, kisha krijuar radion Nacional dhe isha ulur në të njëjtën tavolinë me “të fuqishmit” e kohës.
Unë qesha. Mund ta shaja rëndë, por i thashë vetëm: “Ja që edhe ne pabuksat po bëjmë radio.”
Ai heshti. Dukej se e ndiente stuhinë që po vinte.
Më vonë falimentoi. Dhe frutat e asaj lufte i morën Klan dhe Top Channel.
Pas shumë vitesh garova përsëri për drejtor RTSH. Kisha informacion që fituesi ishte paracaktuar, por përsëri besoja se nuk do shkonin aq larg. Fatkeqësisht ndodhi pikërisht ajo që më kishin thënë.
Sot RTSH mbytet përditë nga paaftësia, politika dhe zgjedhjet klienteliste.
Unë u ktheva në Tiranë me romane të botuara në Amerikë dhe Europë, me studime shkencore dhe eksperiencë ndërkombëtare. Përballë kisha njerëz pa formim serioz, produkte tipike të sistemit të vjetër të emërimeve.
Dhe pastaj s’kanë pse habiten pse Shqipëria ka ndarje veri-jug. Pse njerëzit ikin. Pse rinia largohet. Pse vendi zbrazet çdo vit.
Kur një vend nuk respekton meritën, ai largon njerëzit me vlerë.
Megjithatë, unë përsëri kthehem në Shqipëri. Sepse forca e atdheut të thërret edhe kur zhgënjehesh. Edhe kur lodhesh. Edhe kur ndihesh i huaj në vendin tënd.
Por pyetja mbetet ende:
Si zgjidhet realisht një shkrimtar i madh shqiptar?
Jo me propagandë. Jo me gazeta. Jo me televizione. Jo me miqësi politike.
Një shkrimtar i madh matet me lexuesin, me librin, me ndikimin kulturor dhe me kohën.
Moda mediatike vdes shpejt. Propaganda harrohet. Emrat e fryrë bien.
Por letërsia e vërtetë mbijeton dekada.
Prandaj para se dikush të vetëshpallet “shkrimtari më i madh shqiptar”, duhet të tregojë provat. Jo zhurmën. Jo studion televizive. Jo artikujt e porositur.
Por librin. Lexuesin. Kritikën. Historinë.
Sepse historia nuk i mban mend ata që i ngriti propaganda.
Historia kujton vetëm ata që i mbijetuan kohës.
MBAJENI MÈND, çdo epokë ka zhurmën e vet dhe të vërtetën e vet. Zhurma është e lehtë, e shpejtë dhe e konsumueshme. E vërteta është e ngadaltë, shpesh e padukshme në fillim, por e pandryshueshme në fund. Shqipëria ka nevojë më pak për vetëshpallje dhe më shumë për vepra që mbeten. Sepse një komb nuk ngrihet nga titujt e gazetave, por nga pesha e vërtetë e kulturës që prodhon.
Me vjen keq që jeni të sëmurë mendorë dhe shikoni ëndrra me “shkrimtarë botërorë” e “jashtëtokësorë”. Ju reklamon një gazetë me 500 kopje dhe e quani veten të madhërishëm, ndërsa ajo “e dikurshmja” nuk ekziston më. E bëri misionin kamikaz dhe u zhduk.
Vërtet më vjen keq, sepse nuk jeni as shkrimtarë të vërtetë, madje as mesatarë. Vazhdoni e mburrni njëri-tjetrin dhe porosisni shkrime për lavde artificiale. Jeta vazhdon.
Nuk do të merresha me ju, por e tepruat. Budallallëku ka kufij.
Shkrimtari i madh nuk bëhet nga reklamat, duartrokitjet e porositura apo gazetat që jetojnë një sezon. Koha është gjykatëhsi i vetëm që nuk korruptohet. Lexuesi harron zhurmën, por nuk harron veprën që i mbetet në mendje dhe në shpirt.
Në fund, letërsia nuk matet me vetëshpallje, por me atë që mbetet pasi shuhet propaganda, miqësitë dhe interesat. Emrat e vërtetë i mban historia, jo zhurma e ditës.