Merkato është e mbyllur zyrtarisht, por në fakt ndonjë goditje përtej afatit kalimtar edhe mund të kompletohet. Natyrisht që për të bërë një lëvizje të tillë, që në këto raste është ose dëshpëruese ose okazion, duhen plotësuar të paktën dy kritere. E para, që klubet duhet të kenë vende të lira në federimet e tyre prej 25 lojtarësh dhe e dyta, që lojtarët të jenë pa kontratë. Kjo është edhe arsyja përse në Shkodër ende shpresojnë se mund të marrin mbrojtësin Shkodran Mustafi.
Sipas asaj që konfirmoi vetë presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferri, oferta për kampionin e botës në vitin 2014 është dorëzuar. Kështu, nëse 31 vjeçari gjerman nuk gjen strehë tjetër, që nuk i ka ndodhur prej gjashtë muaj kur u ndërpre kontrata që e lidhte me Levante, mund të vendosë ta mbyllë sezonin 2023-24 me fanellën kuqeblu.
Në një komunikim me Sektorin e Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit është mësuar se Skënderbeu, Tirana e pikërisht Vllaznia kanë ende hapësira në federime. Ndërsa të tjerët e kanë të plotësuar dhe për këtë arsye nuk parashikohen lëvizje të tjera, përvec atyre të bëra brenda afatit zyrtar të transferimeve të janarit.