Autoritetet amerikane të imigracionit kanë konfirmuar arrestimin për disa orë të TikToker-it, Khaby Lame influencuesit të famshëm italo-senegalez. “Ai u arrestua të premten nga Zyra Amerikane e Imigracionit dhe Doganave në Nevada për shkelje të ligjeve të imigracionit”, – thuhej në një deklaratë nga ICE, e cila specifikon se influencuesit iu dha mundësia të largohej dhe tashmë është larguar nga vendi.
“Lame hyri në Shtetet e Bashkuara më 30 prill dhe qëndroi më gjatë se viza e tij. Atij iu dha mundësia të largohej vullnetarisht më 6 qershor dhe që atëherë është larguar nga Shtetet e Bashkuara”, – thuhet në deklaratën e Zyrës së Imigracionit dhe Doganave.
Lajmi kishte qarkulluar në internet pas një postimi në “X” nga Bo Loudon, një influencues konservator dhe mik i Barron Trump, djalit të presidentit amerikan. Loudon e kishte përshkruar Lame si “një TikToker të ekstremit të majtë”, duke shpjeguar se ai e kishte “raportuar atë si një emigrant të paligjshëm”. Postimi i Loudon jepte gjithashtu edhe një numër identifikimi për të ndaluarit e Agjencisë së Sigurisë së Brendshme.
Ndërkohë, Lame është rikthyer në Instagram pas disa orësh mungese. 25-vjeçari postoi një story për 80 milionë ndjekësit e tij ku tregonte një bregdet me palma, të ngjashme me atë në Miami. Krijuesi supozohej të merrte pjesë në një ndeshje bamirësie në qytetin e Floridës.
Kush është Khaby Lame? Ai është një shtetas italian me origjinë senegaleze, Khabane (emri i tij i vërtetë) u bë i famshëm ndërkombëtarisht gjatë pandemisë Covid për videot e tij të heshtura në të cilat ai tallte përmbajtjen e të tjerëve.
Më pas fama e tij u shtri përtej mediave sociale. Ai u rendit në listat e Forbes “30 Under 30” dhe Fortune “40 Under 40”. Ai parakaloi në tapetin e kuq në Met Gala 2025 dhe u emërua Ambasador i Vullnetit të Mirë i UNICEF në fillim të këtij viti.