Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka udhëtuar këtë të dielë drejt vendit ku një masiv shkëmbor është shembur duke bllokuar aksin që u hap për herë të parë pak javë më parë.
Kjo është shembja e dytë e shkëmbinjve që bllokon rrugën, ndërsa pamjet tregojnë se nëse nuk do të ishin marrë masa, jeta e qytetarëve do të ishte në rrezik. Shkak për këtë, thotë Lapaj, është korrupsioni i qeveritarëve.

“Kur tenderat bëhen me telefon dhe kur përfituesi bëhet pa u shpallur procedura, e kur hekuri mungon në beton, jeta e qytetarëve rrezikohet. Sot, fati ka dash që një shqiptar apo disa të kenë shpëtuar, pasi masivi i madh shkëmbor në aksin Qukës-Qafë Plloçë ka rrëshkitur që në shiun e parë. Kujtoj që për këtë rrugë janë dashur plot 14 vite për t’u ndërtuar dhe plot 260 milion euro. Kjo është e papranueshme” u shpreh kreu i “Shqipëria bëhet” në një video që ka shpërndarë për ndjekësit e tij në rrjetet sociale.