Në fshatin turistik të Thethit vijon aksioni i IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ditën e sotme në Theth kanë shkuar kreu i qarkut të Shkodrës së PD-së, Luçiano Boçi dhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia.
Gjatë aksionit të IKMT-së një turist është përplasur me efektivët. Ai shprehet se është shtetas britanik dhe se brenda ndërtesës që po shembej ndodhej pasaporta e tij, si edhe valixhja, duke kërkuar që t’i merrte.
Turisti britanik, i cili tha se kishte 1 muaj që qëndronte në godinën në Theth, nuk është lejuar nga policia, pavarësisht edhe kërkesë së dy demokratëve.
“Po flija atje, dhe ata erdhën papritur duke bërtitur: ‘Dilni jashtë, dilni jashtë’. U thashë: ‘Çfarë po ndodh?’ Më thanë: ‘Kjo do të shembet’. I thashë: ‘Pse? Keni ndonjë dokument apo diçka?’ ‘Jo’, më thanë, ‘thjesht do të shembet’. Askush nuk më dha ndonjë arsye, nuk më shpjeguan asgjë. U thashë: ‘Dakord, vetëm prisni sepse kam çdo gjë personale aty brenda’. Askush nuk më lejoi as të merrja gjërat e mia. Pasaporta ime ndodhet atje, gjithçka është atje, poshtë rrënojave. Nuk e di si do të vazhdojë. Do të shkoj nga këtu drejt e te Ambasada Britanike, kam filmuar çdo gjë. Mendoj që do ta zgjidh vetë këtë problem, nëse më lejohet ta marr vetë pasaportën atje, nën rrënoja. Unë jetoj në Angli, udhëtoj kudo. Shkoj në Egjipt, kudo që shkoj, të gjithë flasin për Shqipërinë, për Thethin, që të vijnë ta vizitojnë, është një vend i bukur. E shikoni këtë njeri, të cilit policia i shembi ndërtesën? Janë njerëz shumë të mirë. Në vend që t’i sulmojë (policinë), ai u jep ujë atyre”, shprehet turisti.