SHBA tërhiqet nga roli i arbitrit në zgjedhje, efektet edhe për Shqipërinë

 

Një urdhër i ri i shpërndarë nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka dhënë sinjalin e një ndryshimi rrënjësor në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara pozicionohen ndaj zgjedhjeve në vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë, ku për vite me radhë diplomatët amerikanë kanë qenë jo thjesht vëzhgues, por shpeshherë edhe “certifikues” të rezultateve zgjedhore, pavarësisht debatit politik apo dyshimeve publike për manipulim.

Sipas një shkrese të brendshme të Departamentit të Shtetit, të siguruar nga agjencia Reuters, Rubio ka urdhëruar të gjithë diplomatët amerikanë të mos komentojnë më për ndershmërinë, integritetin apo legjitimitetin e zgjedhjeve në vende të huaja, përveç rasteve ku ekziston një “interes i qartë dhe bindës i politikës së jashtme amerikane”.

Kabllogrami, i dërguar më 17 korrik, ndalon gjithashtu çdo deklaratë apo postim në rrjete sociale për proceset zgjedhore në vendet ku janë të akredituar diplomatët amerikanë. Sipas udhëzimit, në rastet kur bëhen deklarata, ato duhet të jenë “të shkurtra, përgëzuese për kandidatin fitues, dhe të përqendruara te interesat e përbashkëta të politikës së jashtme”.

“Mesazhet duhet të shmangin çdo opinion për ndershmërinë apo integritetin e procesit zgjedhor, legjitimitetin e tij, ose vlerat demokratike të vendit në fjalë,” thuhet në dokumentin zyrtar të klasifikuar si “sensitive”.

Deklaratat lidhur me zgjedhjet, sipas udhëzimit, mund të vijnë vetëm nga vetë Sekretari i Shtetit apo zëdhënësi i Departamentit, ndërsa ambasadat lokale ndalohen të ndërhyjnë pa një miratim të posaçëm nga drejtuesit e lartë të Uashingtonit.

Reagimi i parë për zgjedhjet/ SHBA uron “popullin e Shqipërisë” por jo Edi Ramën

Kabllogrami përmend edhe fjalimin e Presidentit Donald Trump në Riad më 13 maj, ku ai sulmoi atë që e quajti “ndërhyrje perëndimore” në punët e brendshme të Lindjes së Mesme, dhe deklaroi se SHBA nuk do të “predikojë” më demokracinë, por do të kërkojë partneritete të bazuara mbi interesa strategjike.

“Ndërsa SHBA do të qëndrojnë besnike ndaj vlerave të veta demokratike dhe do t’i përshëndesin kur ato ndahen nga vendet e tjera, Presidenti e ka bërë të qartë se prioriteti është bashkëpunimi me vendet ku përputhen interesat tona strategjike”, theksohet në udhëzimin e zbardhur nga Reuters.

Historikisht, SHBA-të e kanë konsideruar promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe lirisë së shtypit si qëllime thelbësore të politikës së jashtme, por nën presidencën e Trumpit, administrata është larguar gradualisht nga promovimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke e parë këtë si ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Zyrtarë të administratës Trump janë përfshirë disa herë në debatin politik evropian, duke denoncuar atë që ata e konsiderojnë si shtypje të liderëve të djathtë, përfshirë në Rumani, Gjermani dhe Francë, dhe duke akuzuar autoritetet evropiane se censurojnë pikëpamje konservatore, si kritikat ndaj emigracionit, në emër të luftës kundër dezinformimit.

Urdhri i Marko Rubio pritet të ketë efektet e tij edhe në Shqipëri, ku për më shumë se 3 dekada, çdo proces publik, politik, zgjedhor ndonjëherë edhe për zhvillimet brenda partive janë ndjekur nga afër nga ambasada amerikane, e cila jo vetëm ka komentuar, por shpesh është imponuar. Në rastin e certifikimit të zgjedhjeve, deklaratat nga rruga e Elbasani kanë mbizotëruar edhe ndaj raporteve zyrtare të OSBE/ODIHR, duke dhënë një lloj “vize morale” mbi proceset, pavarësisht problematikave evidente.

Si shembull shihen zgjedhjet e vitit 2021 kur deklarata e ambasadës amerikane që legjitimoi rezultatin doli ende pa mbaruar numërimi zyrtar i votave dhe iu mbivendos raporteve ndërkombëtare që theksonin blerje votash, presion mbi administratën, përdorim të burimeve shtetërore apo keqpërdorim të kartave ID.

Në këtë kontekst, urdhri i ri i Rubios mund të sinjalizojë një rol më të tërhequr mbi zgjedhjet, që mund të pasohet nga një reflektim nga ana e vetë shoqërisë për t’u përballur me më seriozitet me problemet e veta të brendshme.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top