Ushtria amerikane njoftoi të martën se ka kryer sulme ndaj një objekti ushtarak iranian, në përgjigje të sulmeve të Iranit ndaj Kuvajtit dhe Bahreinit, të cilat nuk arritën të godisnin objektivat e synuara.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), dy raketa të lëshuara drejt Kuvajtit u shpërbënë gjatë fluturimit, ndërsa raketat e drejtuara ndaj Bahreinit u interceptuan nga forcat amerikane dhe ato bahreinase.
Si kundërpërgjigje, SHBA-ja goditi një stacion kontrolli tokësor ushtarak iranian në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se kishte në shënjestër selinë e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane në Bahrein dhe një objektiv tjetër ushtarak, duke mos përmendur sulme ndaj Kuvajtit. Teherani tha se veprimi erdhi si reagim ndaj një sulmi amerikan me raketë ndaj një cisternë nafte që po përpiqej të hynte në Iran pavarësisht bllokadës.
Përshkallëzimi i fundit vjen në një kohë kur Irani ka ndërprerë komunikimin me ndërmjetësit lidhur me zgjatjen e armëpushimit në konfliktin me SHBA-në dhe Izraelin, sipas raportimeve mediatike. Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar këto pretendime, duke theksuar se bisedimet vazhdojnë.