Ministrja e Minierave dhe Energjetikës së Serbisë, Dubravka Gjedomiq Handanoviq, deklaroi më 15 nëntor se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë vendosur sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak të pronësisë pjesërisht ruse, nuk i kanë dhënë NIS-it “asnjë ditë që të mund të vazhdojë të punojë”.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Ajo në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se është marrë miratim vetëm për negociata mbi pronësinë, por, siç u shpreh, “jo edhe që NIS dhe rafineria të vazhdojnë të operojnë”, transmeton Beta.
Administrata amerikane ka qenë e qartë dhe ka thënë se dëshiron ndryshim të plotë të pronësisë së NIS-it dhe kërkon tërheqjen e plotë të pronësisë ruse nga kompania, tha Cedomiq Handanoviq.
“Është e qartë se as për shtatë ditë nuk është e mundur të ndryshohet pronësia. Si ministre e energjetikës do të them se na presin vendime të vështira se a duhet të merret kompania, e pastaj të kompensohet dëmi”, tha ajo.
Ajo shtoi gjithashtu se e di që “presidenti Vuçiq ka thënë se është kundër nacionalizimit”, por “nuk do të lejojmë që vendi ynë dhe qytetarët të jenë të rrezikuar”.
Pronaret rusë të NIS-it më 11 nëntor i kanë dërguar kërkesë Zyrës së Departamentit të Thesarit të SHBA-së për kontrollin e pronës së huaj (OFAC), me të cilën kërkonin zgjatjen e licencës së punës, në bazë të negociatave me një “palë të tretë”.
Për shkak të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të drejtuara ndaj NIS-it për shkak të pronësisë pjesërisht ruse, është pamundësuar furnizimi me naftë të papërpunuar në Serbi.
SHBA-ja vendosi sanksionet për të pamundësuar financimin e pushtimit që Moska nisi në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Negociatat rreth fatit të NIS-it ende po vazhdojnë, me Rusinë si pronare shumicëshe dhe me SHBA-të që kanë vendosur sanksione.
Vuçiq qysh në janar e ka hedhur poshtë mundësinë e nacionalizimit të NIS-it, pra që kompania më e madhe e naftës në Serbi të rikthehet nën ombrellën e shtetit, por në një deklaratë për RTS më 23 tetor tha se shteti do të ndërmarrë hapa kur të shfaqen probleme me furnizimin.
SHBA-ja shpalli sanksione ndaj NIS-it më 9 tetor, dhe ato janë shtyrë tetë herë.