Ushtria amerikane tha të enjten se vrau katër persona në një sulm ndaj një anijeje të dyshuar që merrej me trafik droge në Paqësorin Lindor, duke e përshkruar objektivin si një anije e një organizate e shpallur terroriste dhe që merrej me trafikun e narkotikëve.
Komanda Jugore e SHBA-së njoftoi për operacionin në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X, duke thënë se veprimi u ndërmor me urdhër të Sekretarit të Luftës të SHBA-së, Pete Hegseth. Në deklaratë thuhet se Shërbimet e inteligjencës kishin treguar se mjeti transportonte lëndë narkotike të paligjshme dhe po kalonte tranzit përgjatë një rruge të njohur të trafikut të drogës në Paqësorin Lindor.
“Katër narko-terroristë meshkuj në bordin e anijes u vranë”,thuhet në deklaratë.
Që nga shtatori, SHBA-të kanë kryer të paktën 22 sulme ajrore si në Detin e Karaibeve ashtu edhe në Oqeanin Paqësor Lindor ndaj anijeve të dyshuara për transportimin e narkotikëve, duke vrarë të paktën 87 persona. Sulmi i fundit erdhi mes diskutimeve se Hegseth urdhëroi vrasjen e të mbijetuarve në një sulm pasues ndaj një anijeje të dyshuar për drogë në Detin e Karaibeve në shtator, të cilën administrata e hedh poshtë. Shtëpia e Bardhë konfirmoi sulmin e dytë, por mohoi që Hegseth urdhëroi vrasjen e të mbijetuarve.
Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se Hegseth autorizoi komandantin e Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së, Admiral Frank Bradley, të kryente sulme më 2 shtator dhe drejtoi opere dytë, duke vepruar brenda autoritetit të tij dhe ligjit. SHBA-të kanë zgjeruar operacionet ushtarake në të gjithë Amerikën Latine në muajt e fundit, duke vendosur marinsat, anije luftarake, avionë luftarakë, bombardues, nëndetëse dhe dronë.