Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që të rikthehen pa vonesë në negociata për një marrëveshje të re mbi çarmatimin bërthamor, pas skadimit të marrëveshjes së fundit në fuqi mes dy fuqive. Ai e cilësoi këtë zhvillim si “një moment jashtëzakonisht serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
“Përfundimi i dekadave të përpjekjeve për kontrollin e armëve nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të papërshtatshme. Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është sot më i larti i dekadave të fundit”, deklaroi Guterres, duke u kërkuar Uashingtonit dhe Moskës “të ulen menjëherë në tryezën e negociatave dhe të bien dakord për një kornizë të re detyruese”.
Që prej periudhës së Luftës së Ftohtë, SHBA dhe Rusia kanë nënshkruar disa marrëveshje për kufizimin dhe kontrollin e arsenaleve të tyre bërthamore. Dy vendet zotërojnë rreth 80 për qind të kokave bërthamore në botë. Marrëveshja e fundit, START i Ri, e nënshkruar në vitin 2010, vendoste kufij për numrin e raketave lëshuese dhe bombarduesve strategjikë, si dhe për 1.550 koka bërthamore operative për secilën palë. Ajo parashikonte gjithashtu shkëmbime të rregullta informacioni dhe mekanizma verifikimi.
Inspektimet e parashikuara nga START i Ri u pezulluan në vitin 2023, në kontekstin e luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila nisi në shkurt të vitit 2022.
“Për herë të parë në më shumë se 50 vjet, bota gjendet pa asnjë kufizim ligjërisht detyrues mbi arsenalet strategjike bërthamore të Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara”, paralajmëroi Guterres. Shtetet e Bashkuara ishin tërhequr edhe më herët, në vitin 2019, nga një tjetër marrëveshje kyçe për çarmatimin bërthamor, Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF), i nënshkruar në vitin 1987 mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.