Shabani shënon në portën e tij, dënon Laçin: Elbasani godet në transfertë

Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Laçit, duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0. Sfida e vlefshme për javën e 31-të të Kategorisë Superiore u vendos nga një episod fatkeq për vendasit, kur Shabani devijoi aksidentalisht topin në portën e tij pas një goditjeje nga këndi në minutën e 37′.

Autogoli që vendosi ndeshjen
Ndeshja nisi me një ritëm të ekuilibruar, ku të dyja skuadrat kërkonin të merrnin kontrollin e lojës. Laçi pati një rast të mirë në minutën e 24′, kur Kristian krosoi në zonë për Mjakin, por goditja e tij u ndal pa vështirësi nga portieri Totoshi. Vetëm pak minuta më vonë, një tjetër aksion i rrezikshëm erdhi nga verdheblutë, kur Lajthia lëshoi një goditje të fortë me të djathtën, por Molla reagoi mirë duke shpëtuar portën.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 37′, kur një harkim nga këndi shkaktoi panik në zonën e Laçit dhe Shabani, në përpjekje për të larguar topin, e devijoi atë në rrjetën e tij. Kjo dhuratë e papritur i dha avantazhin Elbasanit, duke ndryshuar dinamikën e lojës.

Pjesa e dytë pa një Laç më kërkues, por pa finalizim të saktë. Në minutën e 62′, Bullari provoi me një gjuajtje nga jashtë zone, por Totoshi e kontrolloi pa problem. Në të 71′, sërish Bullari iu afrua golit, këtë herë me një goditje me kokë pas një harkimi në zonë, por tentativa e tij shkoi mbi traun e portës. Në minutën e 81′, Laçi pati një tjetër mundësi të artë me Tresën, i cili lëshoi një goditje të fuqishme, por Olberkis ndërhyri në momentin e fundit duke shpëtuar Elbasanin nga një gol i sigurt.

Situata në renditje
Me këtë triumf, skuadra e Gvozdenoviç i afrohet Partizanit në garën për një vend në “Final 4”, duke bërë presion për vendin e katërt. Tashmë, verdheblutë shpresojnë që Partizani të ndalet nga Dinamo në ndeshjen e së nesërmes për të ruajtur hapin në renditje.

Nga ana tjetër, Laçi me këtë humbje e sheh veten në një situatë të vështirë, pasi vetëm dy pikë e ndajnë nga vendi i tetë i Tiranës, një zonë që të çon në “play-out” dhe që rrezikon qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Në javët e mbetura, bardhezinjtë do të duhet të luftojnë fort për të siguruar mbijetesën.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top