Përvoja e Seydou Doumbia te Roma, pra ato pak muaj të fundit të sezonit 2014/15 (mbërriti në janar), konsiderohet një dështim: ndoshta të flasësh për “bidon” është e tepërt për dikë që në karrierë ka fituar shumë tituj ekiporë dhe personalë – si me klubet ashtu edhe me kombëtaren – megjithatë nëse përmend sulmuesin nga Bregu i Fildishtë para një tifozi verdhekuq, kujtimi është nga ata horror (vetëm 2 gola në 13 paraqitje dhe largim në verë).
Krejt tjetër status ka Doumbia në Rusi, ku para se të mbërrinte te Roma (për 14,4 milionë euro plus bonus, kontratë e gjatë deri në 2019) kishte qenë dy herë rresht golashënuesi më i mirë, duke i shënuar madje edhe një dygolësh Manchester City në Champions League. Dhe pikërisht në Rusi së fundmi Seydou ka pranuar t’i nënshtrohet testit të poligrafit, pra makinës së së vërtetës, për të shuar dyshimet mbi moshën e tij të vërtetë. Test i dështuar: në realitet do të ishte dukshëm më i vjetër…
Seydou Doumbia (€14.4M) – CSKA Moscow to AS Roma (2015) pic.twitter.com/WD9oy1LF9B
— Transfersthathappened (@actualtransfers) October 26, 2024
Dyshimet mbi moshën e vërtetë të Seydou Doumbia
Doumbia në Moskë është një institucion: me fanellën e CSKA-s ka fituar dy kampionate, si edhe disa kupa kombëtare, duke shënuar me tufa gjatë katër viteve e gjysmë. Bomberi nga Bregu i Fildishtë kishte mbërritur në kryeqytetin rus në vitin 2010, marrë nga Young Boys, ku po ashtu kishte prodhuar gola për dy vjet me radhë. Në atë kohë ishte 22 vjeç e gjysmë, edhe pse dikush më pas do ta vinte në dyshim këtë të dhënë. Gjatë periudhës së Seydou te CSKA Moska dolën në skenë dyshime mbi moshën e tij zyrtare, me disa zëra që e cilësonin dukshëm më të madh se sa deklaronte (në dokumente rezulton i lindur më 31 dhjetor 1987).
Këto spekulime buronin kryesisht nga fakti se karriera e tij dukej “shumë e gjatë” në raport me moshën zyrtare, si edhe nga performancat fizike të vëzhguara në fushë, ku ai dukej se shfaqte lodhje të pazakontë për një lojtar që në letër ishte ende i ri. Disa vunë re se Doumbia kishte një “gjatësi” karriere të dyshimtë për dikë të moshës së tij zyrtare: karriera e tij kishte nisur në Bregun e Fildishtë me paraqitje në ekipe edhe gjysmë-profesioniste që dukej se shtriheshin shumë vite më parë. Disa shkuan deri aty sa të pretendonin që futbollisti nga Bregu i Fildishtë ishte madje deri në 10 vjet më i vjetër se sa deklarohej, duke nënvizuar edhe tiparet e tij fizike më të “konsumuara” sesa të një djaloshi pak mbi të njëzetat.
Të gjitha thashetheme të pamundura për t’u provuar, të cilat madje u përfolën edhe në Itali kur Doumbia në janar 2015 mbërriti te Roma, duke krahasuar rastin e tij me akuzat e ngjashme (të cilat rezultuan të pabazuara) që iu drejtuan lojtarit të Lazios, Minala. Këto dyshime janë pjesë e një fenomeni më të gjerë që prek mbarë futbollin afrikan, ku mungesa e regjistrave të saktë çon në spekulime mbi “mosha të ulura” për të rritur vlerën e tregut të futbollistëve.
Sa vjeç do të ishte vërtet Doumbia sipas testit të poligrafit
Legjenda e moshës së falsifikuar të Doumbia është ringjallur me rastin e testit të makinës së së vërtetës, të cilit ish-sulmuesi (i tërhequr nga futbolli në vitin 2021) pranoi t’i nënshtrohej në Rusi. Sot, sipas kartës së tij të identitetit, Seydou duhet të jetë gati 38 vjeç. Poligrafi, i kryer mes shumë të qeshurash, nuk është shumë dakord…
Pyetje: Ke më shumë se 40 vjeç?
Seydou Doumbia: Jo. (makina thotë që është e rremë)
Doumbia: Është e pamundur! (reagimi i tij)
Pyetje: Ke më shumë se 45 vjeç?
SD: Jo. (e vërtetë)
Pyetje: Pra, mes 40 dhe 45. Ke më shumë se 42 vjeç?
SD: Jo. (makina thotë që është e rremë)
Pyetje: Kemi përcaktuar që ai ka më shumë se 40 vjeç, por më pak se 45, rreth 42. Pyetja që ka torturuar miliona njerëz! E morëm përgjigjen. Ai ka lindur në 1982 ose 1983. Pyetja e fundit: Ke 43 vjeç?
SD: Jo. (e rreme)
Doumbia sot, gati 38 vjeç, pavarësisht asaj që thotë poligrafi…
Sigurisht, rezultati i makinës së së vërtetës – e cila zbulon aktivizimin emocional të subjektit duke matur parametra si ritmin e zemrës, frymëmarrjen, presionin e gjakut, djersitjen dhe sinjale të tjera fiziologjike – nuk ka besueshmëri shkencore 100% dhe për këtë arsye përdorimi i saj nuk ka vlerë ligjore. Bëhet fjalë për një instrument analitik orientues me besueshmëri të vlerësuar mes 87% dhe 93% në kushte ideale, megjithatë rezultatet fals pozitive dhe fals negative janë të mundshme. Prandaj Doumbia vazhdon të ketë 37 vjeç e gjysmë, jo pesë më shumë që i atribon makina…