Scott Disick ka reaguar pas deklaratës së Kim Kardashian ku pranoi se nuk e ka idenë sa kushton një shishe qumësht.
Biznesmenidhe ish-partneri i Kourtney Kardashian është fotografuar duke shëtitur me një shishe të madhe qumështi, të futur në çantën e golfit teksa fliste në telefon. Në një foto tjetër, ai shihet duke bërë pazar me disa çanta në dorë dhe sërish me shishen ndërsa në një tjetër është ulur pranë pishinës me të.
Ky gjest i Disick duket qartë se ishte një tallje e drejtpërdrejtë ndaj Kim-it, e cila u vu në qendër të kritikave pak ditë më parë.
Në një intervistë në podcastin “Call Her Daddy”, Kim Kardashian pranoi se: “Nuk kam fare koncept se sa kushton një shishen qumështi. Do të doja ta dija…”
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të forta në rrjet, me shumë komentues që e cilësuan Kim-in si të shkëputur nga realiteti i jetës së përditshme. “Sa e pasur duhet të jesh për të thënë një gjë të tillë?” – shkroi një përdorues në X (ish-Twitter). “Këtë s’duhej ta thoshte kurrë,” – shtoi një tjetër.
Në të njëjtën intervistë, Kim foli edhe për momentin e famshëm nga viti 2011, kur humbi një vath diamanti gjatë pushimeve në Bora Bora dhe shpërtheu në lot në reality show-n “Keeping Up With the Kardashians”.
“Isha shumë e mërzitur sepse ishte një nga blerjet e mia të para të shtrenjta dhe nuk e kisha siguruar ende. Nëse do ta kisha siguruar, do të merrja paratë mbrapsht.” Vathi përfundimisht u gjet nga motra e saj më e vogël, Kylie Jenner, e cila u zhyt në ujë për ta kërkuar.