Samiti i Procesit të Berlinit/ Kurti: Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës nga 1 janari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje e Herecegovinës. Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisjen me viza për të lëvizur në vendet respektive. Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit, Kurti tha se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm, por se duhen “edhe më shumë veprime”.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime – të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament – unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës”, tha Kurti.

“Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, tha ai.

I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, ky proces shënon sivjet dhjetë vjet. Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së. Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE. Duke folur në hapje të samitit në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

“Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.

“Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shtoi ai.

Scholz tha, po ashtu, se Procesi i Berlinit “është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën”, tha ai.

Scholz paralajmëroi nënshkrimin e dy dokumenteve të reja në samitin e sotëm, që, siç tha, do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë. I pari, sipas tij, ka të bëjë me një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa i dyti me një marrëveshje të re për lëvizjen, që përfshin edhe qasjen në arsimin e lartë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, “është mirë të jemi në Berlin me partnerët tanë nga Ballkanit Perëndimor”./ REL

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top