Pavarësisht pritshmërive për një përfundim më të shpejtë të hekurudhës Tiranë – Durrës projekti i parë i këtij lloj gjatë tranzicionit, saga e përfundimit të saj do të vijojë të shtrihet në kohë, duke parashikuar fonde dhe ndërhyrje së paku deri në vitin 2028.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në vijim e këtij projekti do të vijojë financimi për ndërtimin e lidhjes midis terminalit të transportit publik dhe stacionit të trenit në Tiranë me rreth 915 milionë lekë në vitin 2027 dhe 345 milionë lekë në vitin 2028.
Plani përfshin gjithashtu ndërtimin e godinave të stacioneve, elektrifikimin e linjës Durrës–Tiranë–Rinas, si dhe ndërtimin e bazës mekanike për mirëmbajtjen e trenave, për të cilën janë caktuar rreth 412 milionë lekë në vitin 2027 dhe 458 milionë lekë në vitin 2028.
Afati fillestar i parashikuar për përfundimin e këtij projekti shtatori i vitit 2023. Megjithatë, për shkak të vonesave të njëpasnjëshme, problemeve me zbatimin, ky afat është shtypur disa herë ndër vite, fillimisht në vitin 2024, më pas në 2025, dhe aktualisht është shtrirë së paku deri në fund të 2028.
Linja e vjetër hekurudhore që lidhte dy qytetet kryesore të vendit, Tiranën dhe Durrësin, u ndërtua fillimisht mes viteve 1948–1949 përmes punës vullnetare dhe shërbeu për dekada me radhë si arterie kryesore e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.
Megjithatë, me kalimin e viteve dhe sidomos pas viteve ’90, ky rrjet pësoi një degradim të rëndë për shkak të mungesës së investimeve, dhe mungesës së mirëmbajtjes, duke bërë që transporti hekurudhor të humbiste plotësisht peshën e tij dhe qytetarët t’i drejtoheshin transportit rrugor.
Projekti i ri synon ta transformojë plotësisht këtë linjë tradicionale në një korridor modern hekurudhor evropian. Me një gjatësi totale prej rreth 39 kilometrash, ky rrjet parashikon përdorimin e trenave elektrikë me shpejtësi deri në 120 km/h, duke e shkurtuar kohën e udhëtimit mes Tiranës dhe Durrësit me një total prej afërsisht 11 stacionesh përgjatë gjithë gjurmës.
Projekti i ri po realizon edhe degëzim të ri drejt Aeroportit të Rinasit. Pjesë integrale e këtij modernizimi janë gjithashtu ndërtimi i godinave të reja të stacioneve, lidhja me terminalin e transportit publik në Tiranë, ndërtimi i bazës mekanike për mirëmbajtjen e mjeteve, si dhe elektrifikimi i plotë i linjës, i mbështetur në bashkëpunim me institucione financiare ndërkombëtare si BERZH-i.
Megjithëse projekti u konceptua vite më parë, zbatimi i tij është përballur me vonesa të njëpasnjëshme burokratike, probleme me pronat, ndryshime në komponentët teknikë ,duke bërë që afatet e përfundimit të shtyhen pa-afat. /Monitor