Presidenti amerikan Donald Trump dha një paralajmërim të fortë kur u pyet nga një gazetar se sa larg do të shkonte për të marrë Groenlandën, duke u përgjigjur: “Do ta shihni.”
Deklarata vjen teksa Trump ka planifikuar të largohet nga Uashingtoni për në Davos të Zvicrës, ku do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit evropianë mbi idenë e tij për të shtënë në dorë Groenlandën.
Më herët kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha në një konferencë për shtyp se popullsia dhe autoritetet e ishullit Arktik duhet të përgatiten për një pushtim të mundshëm ushtarak pas presionit nga Trump, duke u shprehur: “Nuk ka gjasa të ketë një konflikt ushtarak, por nuk mund të përjashtohet.”
Më herët gjatë javës, Presidenti Donald Trump publikoi mesazhe private nga udhëheqës botërorë duke u tallur me aleatët pasi shpërndau mesazhet e marra nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.
Trump zbuloi se i kishte publikuar mesazhet sepse ato “kishin shprehur pikëpamjen e tij”.
“Ata thonë, “O Zot, le të hamë darkë, le të bëjmë këtë, le të bëjmë atë”. Thjesht shpreha pikëpamjen time”, – vazhdoi ai.
“Kemi shumë takime të planifikuara për Groenlandën dhe mendoj se gjërat do të shkojnë mjaft mirë” – tha ai i pyetur për axhendën e tij në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit.
Presidenti u pyet nëse do të përdorte forcën ushtarake për të marrë Groenlandën nëse nuk mund të arrihej një marrëveshje për territorin danez. Trump dha një përgjigje të thjeshtë: “Pa koment”.