Juventus ka arritur të mbyllë operacionin e dytë hyrës të kësaj merkatoje verore. Bardhezinjtë kanë siguruar zyrtarisht blerjen e Francisco Conceição nga Porto. Një operacion i dëshiruar fort nga Igor Tudor dhe që i lejon skuadrës të ketë edhe njëfarë vazhdimësie sa i përket lojtarëve dhe lojës. Pas Jonathan David, pra, një tjetër goditje në repartin ofensiv për bardhezinjtë, të cilët sigurojnë plotësisht kartonin e portugezit pas huazimit të sezonit të kaluar dhe në Botërorin për Klube.
Negociatat e gjata të drejtuara nga Comolli – duke qenë se Juventus është ende pa drejtor sportiv – kanë sjellë rezultatet e shpresuara. Në pritje për të kuptuar nëse bardhezinjtë do të mund të arrijnë së shpejti edhe te Sancho me daljet e njëkohshme të Mbangula, Weah dhe ndoshta Nico Gonzalez, ja më në fund portugezi i cili ka firmosur një kontratë deri në vitin 2030. Investimi për Juventusin në fakt ka qenë mjaft i rëndësishëm duke pasur parasysh shifrat zyrtare të zbuluara nga vetë klubi bardhezi: gati 50 milionë euro.
Njoftimi i Juventus
Ky është njoftimi zyrtar i klubit: “Juventus Football Club S.p.A. njofton se ka arritur një marrëveshje me shoqërinë Porto FC për blerjen përfundimtare të të drejtave për shërbimet sportive të futbollistit Francisco Fernandes da Conceição kundrejt një pagese prej 30,4 milionë euro, e pagueshme në katër këste, si dhe shpenzime shtesë prej 1,6 milionë euro.” Juventusi pra do të paguajë 32 milionë të parashikuara nga klauzola e zgjidhjes së kontratës, por do t’ia derdhë Portos në 4 këste nga 8 milionë euro secili. Kësaj shume i shtohen edhe 7 milionë të paguara verën e kaluar për huazimin me pagesë (+3 milionë bonus).
Operacionet e merkatos që po zhvillon Juventus
Duke marrë parasysh edhe komisionet për agjentin e tij Jorge Mendes, kostoja totale e operacionit arrin rreth 45 milionë euro. Një operacion i rëndësishëm pra, që u mbyll edhe falë shitjes tashmë të afërt përfundimtare të Weah dhe të Mbangula. Ndjesia është se këtë javë Tudor mund ta ketë në grumbullim edhe Sanchon, duke shpresuar më pas në një dhuratë të fundit që do të përfaqësojë sulmuesin që do të zëvendësojë Vlahovic, i cili, në mungesë të një shitjeje, po përgatitet të kalojë një sezon si i ndarë nga grupi.