Një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë në Moskë tha se Rusia rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast se përballet me agresion nga vendet perëndimore.
Ky ishte paralajmërimi i Sergei Shoigu, në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, të enjten.
Komentet e Shoigu vijnë pas deklaratave të Presidentit të SHBA, Donald Trump, dhe Zëvendëspresidentit JD Vance, të cilët paralajmëruan se Uashingtoni mund të tërhiqet nga përpjekjet për një zgjidhje paqeje në Ukrainë, nëse nuk ka përparim në negociatat për një marrëveshje.
Kërcënimi i Shoigu është i pari i këtij lloji që bëhet nga një zyrtar i lartë rus që nga dhjetori i kaluar.
Shoigu sqaroi se, sipas ndryshimeve të fundit në doktrinën bërthamore të Rusisë, “Rusia rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast agresioni kundër saj ose Republikës së Bjellorusisë, përfshirë përdorimin e armëve konvencionale”.
Zyrtari i lartë rus shtoi se Rusia po monitoron me kujdes veprimet e shteteve evropiane dhe, në rast të “veprimeve jomiqësore” që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin e territorit rus, vendi do të marrë “masat simetrike dhe asimetrike” të nevojshme për të parandaluar këto veprime dhe për të siguruar që ato të mos përsëriten.
Ai theksoi gjithashtu se parandalimi bërthamor ka si objektiv shtetet dhe koalicionet ushtarake që konsiderojnë Rusinë si një kërcënim potencial dhe që posedojnë armë shkatërrimi në masë ose një kapacitet të rëndësishëm ushtarak konvencional.
Më herët, më 19 dhjetor 2024, Presidenti Vladimir Putin kishte bërë të ditur se Rusia mund të përdorë armë bërthamore kundër shteteve që nuk janë bërthamore, nëse ato përbëjnë një kërcënim për sovranitetin rus.