Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nisi të enjten një vizitë në Vatikan me synimin për të rikthyer marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Selisë së Shenjtë, të tensionuara pas përplasjeve të fundit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Papa Leo XIV.
Vizita e Rubios vjen pas kritikave të Trump ndaj papës së lindur në Çikago, si dhe mosmarrëveshjeve lidhur me luftën SHBA-Izrael në Iran. Papa Leo XIV ka reaguar duke kundërshtuar interpretimet e Trump mbi qëndrimet e tij për Iranin dhe armët bërthamore, duke theksuar se mesazhi i tij mbetet ai biblik i paqes.
Gjatë qëndrimit në Vatikan, Rubio pritet të zhvillojë takime me sekretarin e shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, i cili ka mbrojtur publikisht papën dhe ka kritikuar sulmet ndaj tij. Parolin deklaroi se SHBA mbetet një partner kyç për Selinë e Shenjtë, pavarësisht mosmarrëveshjeve të fundit diplomatike.
Rubio do të zhvillojë gjithashtu takime në Itali me kryeministren Giorgia Meloni dhe ministrin e Jashtëm Antonio Tajani, të cilët gjithashtu kanë mbrojtur Papa Leon dhe kanë kritikuar luftën në Iran