Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e bëri të qartë sot se vendi i tij nuk do të vazhdojë t’i mbështesë bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë nëse nuk arrihet një zgjidhje së shpejti.
Sekretari amerikan ishte mjaft preciz dhe i qartë në atë që deklaroi në Paris, pasi u takua me liderë europianë dhe ukrainas, raporton The Telegraph.
“S’do ta vazhdojmë këtë angazhim për javë e muaj pa mbarim. Duhet ta vendosim shpejt tash, dhe po flas për çështje ditësh nëse kjo gjë është e bëshme apo jo. Nëse është, jemi aty. Nëse s’është, atëherë kemi prioritete tjera në të cilat duhet të përqendrohemi po ashtu”, tha sekretari Rubio.
Administrata Trump në fillim pati deklarata që priste të arrinte një marrëveshje me palët brenda një periudhe 6-mujore, por si duket refuzimi për nënshkrimin e një armëpushimi ia ka humbur durimin SHBA-së.
Lufta në Ukrainë po vazhdon tash e tri vjet, teksa Rusia ka intensifikuar sulmet javëve të fundit, sidomos me raketa balistike. Për momentin, Ukraina nuk po arrin të bëjë përparime në fushën e betejës, ndërsa Rusia po vazhdon të mbajë pjesë të mëdha të territorit të katër rajoneve në lindje dhe jug të Ukrainës: Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson.