Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kërkesë në Kuvend për interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, duke ngritur shqetësime mbi rrezikun e një krize të mundshme energjetike në vend për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.
Deputetët e PD ngrenë pikëpyetje mbi masat konkrete të marra nga qeveria shqiptare, duke theksuar se vendi mund të përballet me një situatë emergjente nëse nuk ndërmerren hapa të menjëhershëm. Ata kërkojnë transparencë mbi menaxhimin e rezervave energjetike, garantimin e furnizimit me karburant dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë.
Kërkesa e plotë:
I nderuar Z. Kryetar i Kuvendit,
Nisur nga situata ndërkombëtare e shkaktuar nga lufta në Iran, situatë e cila ka ndikuar në rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë, veçanërisht të naftës dhe derivateve të saj;
Nisur nga fakti që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka udhëzuar vendet e BE-së për përgatitjen për lëshimin në treg të naftës nga Rezervat e Sigurisë;
Nisur nga fakti se Komisioneri për Energjinë Zt. Dan Jorgensen, u ka kërkuar vendeve anëtare të Bashkimit Europian të përgatiten për ndërprerje të mundshme në furnizimin me energji, përmes një letre drejtuar ministrave të energjisë;
Nisur nga fakti që Kryeministri ka folur për një model të ri për mbajtjen e Rezervës energjetike të sigurisë si dhe për themelimin e një kompanie shtetërore që do të hyjë në tregun e tregtimit të naftës dhe derivateve të saj;
Nisur nga fakti që situata ndryshon me shumë shpejtësi dhe kemi hyrë në një emergjencë të vërtetë të përballjes me këtë krizë;
Për sa më sipër, Shqipërisë i dalin përpara detyra të mëdha për përgatitjen për një krizë energjetike e cila do të kërkonte angazhim të madh shtetëror, e veçanërisht masa konkrete të Ministrisë së Energjitikës për çështjen e garantimit të furnizimit me karburant, të menaxhimit të duhur të Rezervës së Sigurisë dhe të koordinimit institucional me BE dhe IEA.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 80, pika 1 të Kushtetutës dhe nenin 96, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Energjitikës dhe Transportit, për të dhënë shpjegime dhe informacione lidhur me sa më lart.