Shoqata e Prokurorëve ka shprehur shqetësim për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, të prezantuara nga kryeministri Edi Rama, duke argumentuar se ato mund të dobësojnë hetimet dhe ndjekjen penale, veçanërisht në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në reagimin e saj, Shoqata thekson se ndërhyrjet e reja rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet për mbledhjen e provave dhe të pengojnë zgjerimin e hetimeve drejt fakteve të reja të lidhura.
Prokurorët nënvizojnë gjithashtu se zbulimi i të gjitha provave që në fazat e hershme, kufizimi i masave të sigurimit personal dhe ndryshimet mbi pavlefshmërinë e akteve mund të ndikojnë në ruajtjen e provave dhe sekretin hetimor.
Sipas Shoqatës, çdo ndryshim në procedurën penale duhet të bazohet në analiza të thelluara dhe të jetë në përputhje me arkitekturën e sistemit shqiptar të drejtësisë, duke ruajtur rolin e prokurorit në drejtimin e hetimit dhe kontrollin gjyqësor si garanci për ligjshmërinë dhe të drejtat e individit.
Shoqata kërkon një proces real dhe gjithëpërfshirës konsultimi, me kohë të mjaftueshme për debat profesional, ndërsa bën me dije se do të vijojë analizën e detajuar të projektligjit.