Mijëra libanezë janë duke u larguar nga shtëpitë e tyre në jug të Libanit, me përshkallëzimin e gjithnjëshëm të konfliktit midis Izraelit dhe grupit terrorist Hezbollah. Dje u raportua se së paku 492 njerëz kishin humbur jetën pas sulmeve të fundit të ushtrisë izraelite.
Mbrëmë, Izraeli tha se i kishte goditur rreth 1,600 caqe të terroristëve të Hezoballah-ut, ndërsa autoritetet libaneze njoftuan se nga këto sulme kishin vdekur 492 njerëz.
Në anën tjetër, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Hezbollah-u kishte lëshuar mbi 200 raketa në drejtim të veriut të Izraelit, raporton BBC.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje qytetarëve të Libanit që të ikin nga rreziku sa më parë, ndërsa ushtria izraelite raportohet t’u ketë dërguar njerëzve mesazhe për të ikur nga ndërtesat ku Hezbollah-u i mban armët.