Portugalia mposht Spanjën dhe fiton Nations League. Vendimtare ishin goditjet nga pika e bardhë, me gabimin e Moratës që i kushtoi shumë shtrenjtë “Furive të kuqe”. Protagonist i madh i ndeshjes, edhe një herë tjetër, Cristiano Ronaldo, i cili fitoi trofeun e radhës në karrierën e tij. Ish-lojtari i Realit, Juventusit dhe United-it përjetoi emocione të forta përpara këtij triumfi.
Ishte pikërisht ai që shënoi golin e barazimit përfundimtar 2-2, i cili i lejoi Portugalisë ta çonte ndeshjen në shtesa dhe më pas në penallti. Penallti në të cilat nuk mundi të merrte pjesë për shkak të një dëmtimi që e detyroi Ronaldon të largohej nga fusha. Pavarësisht gjithçkaje, sulmuesi gjithmonë i freskët e ndoqi sfidën nga stoli, me shumë emocion.
Përveç se i inkurajonte shokët, gjatë penalltive, Cristiano Ronaldo nuk deshi as të shikonte. Pas penalltisë së humbur nga Morata, CR7 iu afrua shokëve të tjerë në stol dhe nisi të qajë, duke mbuluar fytyrën me duar. Vetëm nga reagimi i atyre që kishte përreth, portugezi e kuptoi se kombëtarja e tij kishte fituar. Dhe këtu Ronaldo shpërtheu.
Cristiano Ronaldo’s reaction to the last penalty.
What a video.
pic.twitter.com/wY8ie7JXNq— TC (@totalcristiano) June 8, 2025
Fillimisht, lotët e pakontrollueshëm dhe përqafimet me portugezët e tjerë. Pastaj u ul në fushë për të shijuar triumfin. Emocionalisht shumë i prekur, Ronaldo nuk arriti të përmbahej. Lot të pandalshëm për futbollistin që vjen pas lamtumirës me Al Nassr, i cili më pas deklaroi: “Sot ishte e rëndësishme të fitonim. Duhet t’i përgëzoj shokët e mi të skuadrës, arrita të bëj histori. Edhe trajnerin, i cili është sulmuar padrejtësisht këto ditë. Ne dhamë gjithçka edhe për të dhe jam shumë i lumtur. Dëmtimi? Pata një problem të vogël në kofshë. Lotët janë pasojë e faktit që ky është një titull, një trofe.”