Ronaldo Luis Nazario de Lima, për të gjithë “Fenomeni”, luante në një futboll ku jo vetëm që nuk ekzistonte VAR – rishikimi i aksioneve nga arbitrat ishte fantashkencë për atë kohë – por edhe mbulimi televiziv nëpër stadiume ishte minimal. Ndeshjet ishin, në thelb, territor i lirë ku mbrojtësit ndiqnin rregullin e vjetër: “godit gjithçka që lëviz, nëse është topi edhe më mirë”.
Ishin shkatërrues profesionistë që rrezikonin artikulacionet e kundërshtarëve, sidomos të kampionëve. Në disa raste nuk ngurronin as t’i godisnin në fytyrë për të rritur intimidimin në nivel maksimal, ashtu siç ka treguar vetë Ronaldo disa kohë më parë në një bisedë me Juan Sebastián Verón. Ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit kujtoi se si mori tre grushte në fytyrë nga i njëjti lojtar brenda një pjese loje. Asnjë ndëshkim nga arbitri, ndërsa ai ngrihej i përgjakur dhe dilte nga fusha në lot në pushim. Ndeshja më pas pati një fund të jashtëzakonshëm, sepse klasat mbeten gjithmonë klasa…
Ronaldo: “Tre grushte, isha i mbuluar me çarje”
Ronaldo ishte një përbindësh që në moshë shumë të re në Brazil. Në atë kohë ishte edhe fizikisht i dobët, prandaj ishte e pamundur të përballej fizikisht me kundërshtarë më të fuqishëm. Sulmuesi brazilian u kthye pas në kohë, kur 16-vjeçar luante te Cruzeiro dhe para një ndeshjeje bëri diçka për të cilën më pas u pendua në fushë…
“Isha shumë i sigurt në vete dhe të mërkurën thashë në një intervistë se do të shënoja tre gola në ndeshjen e së dielës”.
“Nuk e mbaja mend më – vazhdoi Ronaldo – Arritëm në ndeshje, minuta e dytë, mbrojtësi im kishte topin, unë po e shikoja dhe dikush më erdhi nga pas e më goditi me grusht. Rashë përtokë, nuk e dija nga kishte ardhur. U ngrita i gjakosur dhe pyesja çfarë po ndodhte, dhe ai më tha: ‘Nuk do të shënosh tre gola këtu në gjithë jetën tënde, bastard’”.
Që nga ai moment, ndeshja u kthye në një makth, ku më shumë sesa të luante futboll, Ronaldo duhej të mendonte të shpëtonte veten:
“Kishin kaluar dhjetë minuta, arbitri nuk kishte parë asgjë, ai kthehet dhe e bën sërish, pothuajse më thyen një dhëmb tjetër. Dhe pesë minuta para fundit të pjesës së parë më godet përsëri pa e kuptuar. Nuk kishte shumë kamera dhe nuk dukej nga asnjë kënd, por goja ime ishte një katastrofë. Prerje kudo, tre grushte pa e kuptuar fare…”.
Reagimi krenar i kampionit: jo me grushte, por me gola
Por edhe kundërshtari i tij kishte bërë një gabim: kishte nënvlerësuar krenarinë e dikujt që shumë shpejt do të bëhej legjendë.
“Dola nga fusha duke qarë, isha 16 vjeç, plotësisht i papërvojë. Më qetësuan dhe u ktheva në fushë për pjesën e dytë duke parë vetëm ku ishte ai bastard, jo topin. Në fund fituam ndeshjen 3-0 dhe unë shënova të tre golat”.