Ndodh gjithçka në “Olimpico”: Torino mposht Romën 3-2 në sekondat e fundit dhe fluturon në çerekfinale kundër Inter. Antonio Arena do ta kujtojë për gjithë jetën mbrëmjen e 13 janarit 2026. Në moshën 16 vjeçare (ka lindur në 10 shkurt 2009 në Sydney) debutoi dhe pastaj shënoi golin e 2-2 kundër Torinos në Coppa Italia, ekzaktësisht 30 sekonda pasi u hodh në fushë nga Gasperini në vend të Bailey. Sidoqoftë, në sekondat e fundit vendosi Ilkhan, që kualifikoi granadat në çerekfinale.
Skuadra e teknikut Gasperini krijon një rast që në fillim me Pisillin, por Paleari është gati. Edhe El Shaarawy provon rreth minutës së 30’, por miqtë e bëjnë të vështirë qarkullimin e topit të verdhekuqve dhe në minutën e 35’ kalojnë në avantazh: asist i Vlasic për Che Adams, i cili lëshon një të djathtë të rrezikshme nga jashtë zone që mposht Svilar.
Pas pushimit Gasperini hedh në fushë Ndicka dhe Hermoso, dhe spanjolli bëhet menjëherë protagonist në minutën e 46’ me një supergol si një sulmues i “rishpikur”. Të zotët e shtëpisë duken se mund ta nisin përmbysjen, por në minutën e 52’ është sërish Che Adams që e ftoh “Olimpicon”: kros nga e djathta i Lazaro, asist i dytë i Vlasic dhe e djathtë e fuqishme e skocezit që kalon një Svilar jo shumë të përkryer.
Verdhekuqtë duken në litar, por në minutën e 81’ vjen goli i bujshëm i 2-2 nga klasi 2009 Antonio Arena: kros i butë i Wesley dhe goditje e fortë me kokë e talentit të ri të lindur në Australi, që shënon me topin e parë të prekur. Kur gjithçka dukej se do të shkonte te penalltitë, ja goditja përfundimtare e piemontezëve: goditje nga këndi në minutën e 90’, Svilar lë të lirë topin pas devijimit me kokë të Casadeit dhe Ilkhan shënon golin e kualifikimit me një tap-in nga pak hapa. Roma mposhtet në shtëpi dhe eliminohet, Torino në çerekfinale kundër Inter.