Marrëdhëniet mes Romës dhe arbitrave mbeten të tensionuara. Verdhekuqtë, tashmë në heshtje shtypit pas rastit Mourinho-Serra, tani janë tërbuar me Fabbri dhe me arbitrin e VAR Pairetto. Reagimi i klubit roman lidhet me episodin ku Marash Kumbulla u dënua me karton të kuq e penallti për faullin e reagimit ndaj Berardit. Roma nuk ka asgjë për t’u ankuar për kartonin e kuq: Kumbulla e meritoi për çmendurinë e tij. Në fokus të verdhekuqve është sjellja e Berardit para reagimit të shqiptarit. Sulmuesi i Sassuolo hedh shkelma e godet nga toka mbrojtësin e Romës. Për moviolistin Graziano Cesarin është faull edhe ai dhe nga dhoma VAR duhet t’i tregonin arbitrit Fabbri të gjithë aksionin. Ndërsa u shfaq vetëm reagimi i Kumbullës.
Sipas ish-arbitrit, i ftuar në Pressing, sapo pa pamjet, gjyqtari duhet të kishte fishkëllyer një goditje dënimi për verdhekuqtë. E më pas të përjashtonte lojtarin e Romës. Lexim që në dhomat e AIA-s, megjithatë, nuk pranohet. Ndërhyrja e Cesari konsiderohet si një përpjekje tjetër e Romës për të shkarkuar fajin për rezultatet zhgënjyese te arbitrat. Protestat e përsëritura të Romës brenda dhe jashtë fushës, janë bërë të bezdisshme për Shoqatën e Arbitrave. Duke iu rikthyer çështjes Mourinho, Rocchi është shumë i zemëruar me arbitrin Serra. Ai nuk mendon se ai i ka drejtuar portugezit fjalët që i atribuohen, por sigurisht nuk i ka pëlqyer fakti që ai është përgjigjur në të njëjtën mënyrë, me qëndrime po aq sfiduese dhe mosrespektuese.
ÇËSHTJA MOURINHO…
Serra do të dëgjohet nga prokurori federal të mërkurën, pasi José Mourinho kishte denoncuar se ishte ofenduar prej tij. “Do të jetë një mundësi për tu sqaruar – shpjegon avokati Gabriele Bordoni, që mbron gjyqtarin Serra –. Ishte një keqkuptim, në zhurmën e stadiumit, i diktuar nga një situatë nervozizmi të përgjithshëm. Edhe lëvizjet e arbitrit Serra janë keqkuptime. Nuk tha asgjë të keqe dhe nuk u kthye nga trajneri, sepse duhej të shikonte fushën. Ai i kishte duart në xhepa, si gjithë kohën, sepse ishte një mbrëmje e ftohtë. Jo si një gjest provokues. Ne e kuptojmë se Mourinho, një trajner me përvojë dhe prestigj të madh, mund të jetë ndjerë i nënvlerësuar në atë kontekst nga një bashkëpunëtor arbitri shumë vite më i ri se ai. Por ne besojmë se çështja mund dhe duhet të rikompozohet, duke rindërtuar faktet me saktësinë e duhur”.