Ashtu si pritej. Kontrata e teknikut të Kombëtares Sylvinho dhe stafit të tij do të zgjatej pas arritjes në playoff të Kupës së Botës 2026. E në fakt, Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizon rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior, si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar. Ka vetëm një detaj të vogël: rinovimi është deri në korrik, që do të thotë se ndeshjet e playoff-it me Poloninë e Ukrainë/Suedi do të jenë përcaktuese për të ardhmen afatgjatë të brazilianit në krye të kuqezinjve.
Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, Kombëtarja shqiptare ka shënuar një progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026. E megjithatë, kontrata e re me stafin teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026. Objektivi është kualifikimi për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës. Por janë dy arsye për një kohëzgjatje 7 mujore. Ose Sylvinho ka pranuar të drejtojë skuadrën që vetë e solli deri në këtë pikë deri në Botëror dhe më pas të jetë i lirë, ose FSHF kërkon diçka tjetër dhe pas ndeshjeve të marsit, apo edhe Botërorit eventual, rrugët e tyre do të ndahen.
Konfirmojmë vazhdimësinë e projektit teknik që ka sjellë rezultate historike 🔴⚫
Trajneri Silvinjo, zëvendëstrajnerët Zabaleta dhe Dorival kanë rinovuar kontratat me Federatën e Futbollit ✍️📄 deri në korrik 2026 me synim objektivin madhor në Botëror. pic.twitter.com/UIQ3LHdg93
— FSHF (@FSHForg) January 7, 2026
Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e vendosur të mbështesë maksimalisht Kombëtaren dhe stafin teknik në këtë rrugëtim historik, me synimin për të kthyer ëndrrën e Botërorit në realitet për të gjithë shqiptarët. Në muajin mars, kuqezinjtë do të luajnë një kapitull historik, duke u përballur në gjysmëfinalen e play-off-it me Poloninë, më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, në finalen vendimtare do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi.